Tahirys Dos Santos, mbrojtës 19-vjeçar i ekipit B të Metz (Ligue 1), u shndërrua në hero natën e Vitit të Ri në Crans-Montana, në lokalin “Le Constellation”, ku një zjarr shkaktoi mbi 40 të lënduar. Dos Santos ndodhej në katin përdhes dhe arriti të shpëtonte menjëherë duke dalë jashtë. Megjithatë, pasi kuptoi se e dashura e tij kishte mbetur brenda, e bllokuar nga flakët, u kthye pa hezitim për ta shpëtuar, duke rrezikuar jetën e tij.
Ngjarjen e tregoi agjenti i tij Christophe Hutteau për BFMTV: “Ai doli jashtë, por kur pa që vajza ishte ende brenda, u hodh sërish mes flakëve për ta nxjerrë. Përveçse viktimë, Tahirys është edhe një hero”.
Futbollisti ndodhet i shtruar në Stuttgart, në gjendje të rëndë, por merr frymë vetë. Ka djegie në rreth 30% të trupit. Edhe vajza është e shtruar në spital. Mjekët theksojnë se ditët e para janë vendimtare, por ka shenja inkurajuese.
The post Mbrojtësi i Metz, hero në tragjedinë e Crans-Montana: U kthye brenda lokalit për të shpëtuar të dashurën appeared first on Telesport.










