“Mbreti” i kriptomonedhave Faruk Fatih Özer gjendet i vdekur në burgun e Tekirdagut

Prokuroria kishte kërkuar një dënim rekord prej 40.562 vitesh burg.

Faruk Fatih Özer, i njohur si “mbreti” i kriptomonedhave dhe themelues i platformës tashmë të falimentuar “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë.

Lajmi është konfirmuar nga transmetuesi shtetëror TRT, i cili raporton se autoritetet kanë hapur një hetim zyrtar për të zbuluar rrethanat e vdekjes.

Sipas burimeve të para, dyshohet për vetëvrasje, por autopsia pritet të përcaktojë shkakun përfundimtar.

Özer ishte arrestuar më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke. Ai u ekstradua në Turqi në prill të vitit 2023.

Në shtator të po atij viti, themeluesi i “Thodex” u dënua me 11.196 vite burg për akuzat e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krijimit të një organizate kriminale.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim rekord prej 40.562 vitesh burg.