Mbolli 3 parcela me kanabis sativa në Malishevë, ekstradohet i dyshuari nga Shqipëria- kërkohet paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtetasit të Shqipërisë, N.Sh., për kultivim të 1259 bimëve të llojit kanabis sativa.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit me inicialet N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ai dyshohet se bashkë me O.Sh. kanë kultivuar 3 parcela me narkotikë në Panorc të Malishevës.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, në bashkëveprim më të pandehurin O.Sh., kanë kultivuar në tri (3) parcela me rreth 1259 bimë, narkotik të llojit kanabis sativa në vendin e lartcekur të cilat parcela janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri.”

I pandehuri ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale. Ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë.