Krejt çka po zihej përbrenda avulloi edhe jashtë.
Distilim ende nuk ka.
Akuzat për orientim dhe vjedhje të votës me postë në diasporë u bënë mollë e madhe sherri mes funskionarësh të lartë.
Me një fraksion prej tyre – edhe ashtu mosadmirues të thellë ndaj udhëheqësisë së Lumir Abdixhikut – që e çuan në nivele të kërkesës për largim kategorik të tij.
Para mbledhjes pesë orëshe ku disponimi ka shkuar “fyt-a-fyt”, u kuptua nga disa publikime të mesazheve se Arben Gashi ka folur për “skemë të organizuar kriminale”.
Në mbledhjen që pasoi, siç kupton Nacionale, fjalt paraprake të Gashit del të kenë qenë më të mëdha se faktet që ka paraqitur.
Gashi ka akuzuar persona në emër të përvetshëm për vjedhje e orientim të votës së brendshme – të atyre me postë në diasporë – ndërsa konkluzioni i tij largim i Lumir Abdixhikut.
Edhe Driton Selmanaj ka artikuluar pretendimet e veta: por, me ç’marrim vesh, pa evidenca.
Në këtë kontekst, siç marrim vesh, në atë mbledhje është propozuar edhe themelimi i një organi berndapartiak për hetimin e çfarëdo dyshimi: e që objektivin të gjente deri në prokurori.
Abdixhiku në replikim të mesazheve ka dënuar çfarëdo manipulimi të mundshëm e të paramenduar: por, edhe me disa vërejtje për ankuesit.
- Lumir Abdixhiku
Të papranueshme, të shëmtuara e të dënueshme – ka qenë përgjigja e Abdixhikut ne “Viber” po qe se janë të vërteta dhe të dëshmueshme të gjitha pretendimet për manipulim të votës, në dritën e poterës së madhe të nisur nga funksionarë të lartë.
Kreu i LDK-së, siç kupton Nacionale, i ka lutur të gjithë për përmbajtje derisa ato të trajtohen fije-për-pe në mbledhjen e Kryesisë.
Por, tonet del t’i ketë pas më të mprehta ndaj Avdullah Hotit – i cili edhe publikisht doli me elaborat të gjatë në rrjete sociale, ku kishte kërkuar udhëheqësi të re, i.e, largim të Abdixhikut.
E vetmja mënyrë që partia të korr sukses, e kishte dhënë kategorikisht Hoti, do të ishte me ndërrrimin e udhëheqësisë.
Abdixhiku del të ketë qenë koxho kritik ndaj Hotit.
Ka kërkuar që mendjen ta ketë “te votat mashtruese” të partisë në pushtet dhe të bëhet merak pse LDK-ja, ndonëse i ka pasur të raportuara 40 mijë të regjistruar në diasporë po realizon vetëm gjysmën.
Kjo do të duhej të ishte “brenga”, i thotë Abdixhiku, Hotit – por edhe “kursim nga ironitë”. Për dyshimet dhe akuzat për manipulim Abdixhiku i ka qëndruar disa herë asaj se ka organe përkatëse, i.e, prokurorinë: që të adresohen ede aty, por se njëherë “në shtëpinë tonë”.
Abdixhiku ia përmend Hotit edhe “pesëshet” në disa vende në Kosovë, dhe i shton me ironi se për këto “po bëka të ketë sistem”.
Publikimet e djeshme në “Reporteri.net”
Sipas ‘screenshot’-eve të publikuar, ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, akuzon për vjedhje votash dhe kërkon që ky rast të cilësohet si “skemë kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkroi Arben Gashi.
Kësaj iu përgjigj Shala duke thënë se:“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”.
“Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi.
Reagim të ashpër pati edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ngre dyshime për votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit.
“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!!
Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!!
Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Në tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit.
Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.