Mbledhja e Këshillit të VV-së: Kurti rilexon ‘programin’ qeverisës, sulmon brutalisht mediat e Kushtetuesen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shënjestroi sërish Gjykatën Kushtetuese dhe mediat në Kosovë, pa artikuluar qoftë edhe një argument të vetëm valid, duke shpërfaqur sërish një jokohërencë në nivele të pabesueshme brenda vetë kritikës.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti dhe nënkryetari Glauk Konjufca risollën në skenë një hipokrizi të njohur: mirëpritjen e vendimeve të Gjykatës kur ato i shërbejnë interesit të partisë, dhe sulmet e pamëshirshme kur ato s’u bien për shtati.

Kreu i VV-së tha se Gjykata Kushtetuese “pa asnjë arsye” ka vendosur pezullimin, duke e krahasuar madje masën me një vendim imagjinar mjekësor për gjyqtarët.

Sipas tij, vendimi është “absurd dhe i dëmshëm” dhe përbën vonesë të qëllimshme në proceset shtetërore.

“Gjykata Kushtetutese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes. Mëqe tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe. Pa arsysheshëm, besoj unë dhe kërkoj që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri më 30 shtator.

Kjo është ngjajshëm sikur ministri ynë i Shëndëtësisë, Arben Vitia, të lëshoj një vendim mjeksor të ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmën dilemë që e kam është nëse kjo masë është më shumë absurde apo e dëmshme.” – deklaroi Kurti.

Sipas Konjufcës, Kushtetuesja nuk duhet të shkojë përtej dispozitave themelore të Kushtetutës dhe paraqiti dy skenarë: ose Kuvendi do të vazhdojë normalisht punën, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, tha Konjufca.

Pas Kushtetueses, shënjestra e radhës ishin mediat. Kurti foli për atë që ai e quajti “mjegull dezinformative,” “përsëritje gënjeshtrash,” dhe “luftë hibride” ndaj së vërtetës – duke mos ofruar asnjë shembull konkret, asnjë burim, asnjë citim.

“Pas më shumë se një çerek shekulli, terri informativ nën okupim të egër të Serbisë, është zëvendësuar me një mjegull dezinformative në kushtet e lirisë. Këtë kaos prej mjegulle po gjejnë vend lajmet që shpeshherë nuk ua dimë as burimin prej nga vijnë ato. Sot nuk është problemi as te identifikimi i gënjeshtrës sepse nuk po fshihen më nga ajo, por te përsëritja e vazhdueshme e saj.

Në intoksifikimin e atmosferës publike të mjedisit sociopolitik, problemi kryesor nuk është gënjeshtra sa përsëritja e saj. Përsëritja e gënjeshtrës në njërën anë, por edhe relativizimi i të vërtetës e i fakteve në anën tjetër, janë pjesë e luftës hibride që i bëhet jo vetëm Republikës së Kosovës, shtetit tonë, por edhe vetë të vërtetës si të tillë.” – deklaroi Kurti ndër të tjera.

Kurti nisi edhe fushatë për zgjedhjet e ardhshme, ku rilexoi të njëjtat zotime të dhëna para 9 shkurti. Ai premtoi rritje të investimeve kapitale, paga më të larta dhe lehtësira për bizneset.

“Programi Superpuna për gratë do të garantojë pagën minimale për 6 muajtë e parë për secilën grua që dëshiron të kthehet në tregun e punës. Gjatë mandatit të ardhshem, paga minimale do të rritet mbi 500 euro dhe kjo nënkupton që për bizneset e vogla, 6 mijë eurot e para të fitimit vjetor do të jenë të liruara nga tatimi” – deklaroi ndër të tjera Kurti.