Pushteti aktual nuk po ofron asnjë zgjidhje për mungesën e pagave për punonjësit e RTK-së. Pavarësisht thirrjeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare ndaj qeverisë në detyrë për të gjetur një zgjidhje urgjente për tejkalimin e kësaj krize, qeveria e Kurtit ka vazhduar të hesht.
Pas protestës, Sindikatë e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i kanë shkruar edhe letër kryeministrit në detyrë, ku ka kërkuar ndërhyrjen urgjente në zgjidhjen e krizës së krijuar në RTK.
“Ne si Sindikatë nuk po kërkojmë asgjë më shumë se zgjidhje konkrete dhe ligjore. Nuk jemi të interesuar për përplasje apo interpretime politike — ajo që na intereson është pagesa e punës së ndershme të punëtorëve të RTK-së, që për muaj të tërë e kanë kryer detyrën e tyre me përkushtim, pavarësisht vështirësive. I nderuar Kryeministër, ju tashmë jeni të informuar për gjendjen aktuale në këtë institucion. Megjithatë, me këtë letër dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se RTK gjendet në një krizë institucionale dhe financiare të thellë: Institucioni është pa Bord funksional, pozita e Drejtorit të Përgjithshëm është vakante si pasojë e moskompletimit të bordit, aktualisht drejtimi i RTK-së po mbahet me ushtrues detyre, gjë që nuk është në përputhje me ligjin për RTK-në”, është thënë në letër.
Më tej, ata kanë kërkuar zgjidhje.
“Kryeministër, ne si Sindikatë i gëzohemi rritjeve të pagave që po ndodhin në sektorë të ndryshëm në Kosovë, mirëpo kërkojmë nga ju që përmes deputetëve tuaj dhe institucioneve përkatëse, të mundësoni rritjen e buxhetit për pagat në RTK, ashtu siç po ndodh në gjithë sektorët tjerë publikë. Ju e dini rëndësinë e transmetuesit publik për shtetin, për demokracinë dhe për qytetarët. Prandaj, ju bëjmë thirrje publike që të ndihmoni RTK-në — jo vetëm për hir të punëtorëve të saj, por për hir të vetë funksionimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Për hir të 700 familjeve që varen nga ky institucion publik, kërkojmë nga ju të ndërhyni me çdo formë të mundshme për alokimin e buxhetit të RTK-së dhe zhbllokimin e situatës aktuale”, është thënë në letër.
Për këtë çështje, Kurtit i kanë shkruar edhe tri organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medieve, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit i kanë kërkuar Albin Kurtit që të ekzekutojë paratë për pagat e punëtorëve të RTK-së.
“I nderuar ushtrues detyre i kryeministrit, z. Albin Kurti, Ne, organizatat nënshkruese, po ju shkruajmë për t’ju kërkuar që menjëherë të merrni vendimin dhe veprimet e nevojshme për të transferuar buxhetin e kërkuar për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), në mënyrë që punonjësit të mund të marrin pagat e tyre.Sot, punonjësit e RTK-së protestuan për herë të dytë radhazi për shkak të vonesave në pagesën e pagave të tyre. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ta. Aktualisht, RTK nuk ka bord funksional, mandati i drejtorit ka skaduar dhe situata është bërë kritike”, është thënë në letrën e këtyre organizatave, duke dhënë detaje tjera.
“Ju bëjmë thirrje të veproni pa vonesë për të siguruar që punonjësit të marrin pagat e tyre, që është e drejta e tyre themelore. Një vendim i tillë do të tregonte gjithashtu përkushtimin e qeverisë për t’u marrë me shqetësimet e theksuara në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin, i cili vuri në dukje mungesën e përparimit në fushën e lirisë së medias dhe përmendi në mënyrë specifike çështjen e buxhetit të transmetuesit publik”, është thënë në këtë letër.
Një ditë me parë edhe AGK-ja ka dal në përkrahje të punonjësve të RTK-së, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për pagat.
“AGK-ja shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës ta miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut”, është thënë në reagimin e AGK-së.











