Mbi 70 mijë fëmijë përdorues të internetit në Kosovë

Të rinjtë dhe fëmijët shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre në internet, duke u përballur me krime kibernetike, ngacmim kibernetik dhe video-lojëra të dhunshme.

Benjamin Kollenoviq, është menaxher i marketingut digjital, në organizatën “Hallakate”, agjenci kjo për media sociale. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se duke u bazuar në statistika aktuale, në Kosovë konsiderohet se janë 72 mijë fëmijë që e përdorin internetin.

Sipas tij, rrjeti social Facebook është më i përdoruri në Kosovë dhe kap shifrën e më shumë se një milion përdoruesve.

“Përdorues në Facebook, janë 1 milion e 100 mijë në Kosovë dhe mosha që e përdorin, janë nga 18 deri 24 vjeç. Janë, gjithashtu, 72 mijë fëmijë që përdorin internetin në Kosovë, duke përfshirë moshat deri në 16 vjeç”, thotë ai.

Kurse, psiko-terapisti Yll Avdijaj, thotë se përdorimi i internetit në përgjithësi dhe rrjeteve sociale në veçanti, nga ana e fëmijëve, mund të jetë tejet i dëmshëm për ta.

Ai thotë se koha e përdorimit të internetit te fëmijët, duhet të jetë e limituar, gjë që sipas tij, në shumicën e rasteve nuk ndodh.

“Sa i përket përdorimit të internetit te fëmijët është shumë problematike dhe jep dekoncentrim te ta. Ndihmon shumë në mungesë të socializimit dhe shmangie nga kontakti, qoftë me moshatarë apo edhe me familjarë. Më pas (ka raste) të mbylljes në vetvete çka ndikon në rritjen e agresivitetit, pasi që luajnë lojëra ku shfaqet dhuna”.

“Te ne në qendër ku edhe ofrojmë shërbime psiko-terapeutike, ka prindër që vijnë e kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre, kur fëmijët i shfaqin këto dukuri që i përmenda. Më pas rekomandohen që përdorimi i internetit të jetë i limituar, por që definitivisht prindërit nuk i përmbahen kësaj këshille që është bazike”, tregon Avdijaj.

“Në momentin që fëmija kërkon telefonin e mençur, prindërit ia ofrojnë, në një mënyrë që t’i heqin qafe. Unë rekomandoj që maksimumi i fëmijëve që rrinë pranë ekraneve, të jetë dy orë”, shton Avdijaj.

Sipas hulumtimeve të Qendrës për Studime të Avancuara, 43 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë kontaktuar me persona të panjohur përmes internetit, çka ka rezultuar që 32 për qind e tyre të ndihen të shqetësuar pas takimeve që i kanë pasur.

Teuta Zymeri, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studime të Avancuara, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se nëse interneti përdoret në mënyrë të pakontrolluar, sidomos te fëmijët, ka efekte shumë negative.

Ajo shton se gjatë hulumtimeve që i kanë bërë si organizatë kanë hasur në raste kur fëmijët kanë pasur takime me njerëz të panjohur, u janë ekspozuar pamjeve apo videove me përmbajtje pornografike, kanë kaluar shumë kohë me lojëra online dhe kanë krijuar varësi nga to apo nga rrjetet sociale.

“Ne bëjmë vazhdimisht fushata vetëdijësuese në shkolla e terrene, ku tashmë po përdoret edhe trekëndëshi fëmijë-prind-arsimtar, për t’i ndihmuar fëmijët në rast nevoje, pikërisht nga përdorimi i gabuar i internetit”.

“Vazhdimisht kemi pasur kërkesa për ndihmë nga prindërit, por edhe nga fëmijët se qysh duhet të veprojnë në situata të ndryshme gjatë përdorimit të internetit kur fëmijët janë të rrezikuar apo fëmijët kanë probleme. Kemi pasur rast kur prindërit kanë treguar për fëmijët që fëmija ka qenë para vetëvrasjes pasi që shokët i kanë postuar fotografi pa lejen e tij”, bën të ditur Zymeri.

Përdorimi i internetit dhe teknologjisë sot është një nga trendët e përhapur në gjithë botën. Por, sikurse edhe në shumë vende tjera, edhe në Kosovë shqetësim mbetet përdorimi i tepërt dhe i pakontrolluar i internetit nga ana e fëmijëve./REL