Mbi 500 mijë emigrant në rrezik të dëbohen nga Amerika pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë amerikane ka vendosur këtë të premte që Administrata Trump mund të revokojë përkohësisht statusin ligjor të mbi 500 mijë emigrantëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas BBC-së, ky vendim pezullon një urdhër të mëparshëm të një gjykatësi federal që ndalonte administratën nga mbyllja e programit të imigracionit të quajtur “Parole”, program ky i krijuar nga ish-presidenti Joe Biden.

“Parole” mbronte emigrantët që largoheshin nga kriza ekonomike dhe politike në vendet e tyre të origjinës, ndërsa urdhri i ri nënkupton se rreth 530 mijë emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela janë në rrezik të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë më parë këtë muaj që lejoi zyrtarët e Trumpit të revokojnë Statusin e Mbrojtur të Përkohshëm, një program i veçantë për rreth 350 mijë emigrantë venezuelanë që jetojnë dhe punojnë në SHBA./Periskopi