Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese dhe një ndër problemet e rënda shoqërore në Kosovë. Çdo vit, qindra gra, vajza dhe anëtarë të tjerë të familjes përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje si në Gjakovë e Drenas. Një burrë në Drenas u raportua se në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Kurse një rast tjetër në Gjakovë, i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë është dërguar në mbajtje për dhunë në familje.

Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës në familje, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 61 raste të reja gjatë periudhës 19-26 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej me 52 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë dhunim me 4 raste dhe vepra të tjera penale. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për urdhër mbrojtje, kërkesa për urdhër mbrojtje Emergjente, Aktvendime të ndërprera, seanca gjyqësore, këshilla juridike etj.

Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga dukuritë shqetësuese në shoqërinë tonë. Kështu thonë sociologët, duke i bërë të ditur ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masat që duhen ndërmarrë.

Sipas sociologut Lavdim Konushevci, shumë raste lidhen me familje të reja që kanë vështirësi në menaxhimin e konflikteve dhe tensioneve.

Ai thekson se ndaj dhunuesve të përsëritur, veçanërisht atyre me histori të veprave penale, shteti duhet të aplikojë masa më të ashpra ndëshkuese përmes ligjeve në fuqi.

Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-tetor janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 1897 viktima janë femra, kurse 527 meshkuj.

Gjatë një jave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit trajtoi 52 raste të dhunës në familje./RTK