Sesioni i fundit i legjislaturës së tetë po vazhdon me mungesë kuorumi, bojkot të seancave dhe pa produktivitet. Konsensusi pothuajse ka munguar në të gjitha sesionet, por përplasjet e fundit mes shumicës parlamentare dhe opozitës, vlerësohen se e kanë dëmtuar edhe më shumë jetën parlamentare.
Për këtë më së shumti kanë faj deputetët, të cilët nuk e kanë vënë në rend të parë përmbushjen e misionit të tyre me Kushtetutë, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
“Çka ka ndodhë gjatë kësaj legjislature është e kundërta e asaj çfarë thotë Kushtetuta dhe është e kundërta e asaj çfarë presin qytetarët nga deputetët. Kuvendi ka dështuar t’i përmbushë dhe t’i kryejë katër role kryesore, mbikëqyrës, legjislativ, zgjedhor edhe legjislativ”, tha për RTK, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi
Kritika për mënyrën e funksionimit të jetës parlamentare në këtë legjislaturë ka edhe politologia, Besa Luzha.
“Ka deputet në Kuvend që nuk ua kemi dëgjuar zërin asnjëherë, as nuk e dijmë d.m.th cili ka qenë pozicioni i tyre për shumë prej çështjeve, kështu që kjo diktatura e numrave nuk është një instrument i mirë dhe nuk është indikator i demokracisë, demokracia kërkon dialog, kompromis, pajtim”, tha ajo për RTK.
Vetëm në dy javët e fundit opozita ka mbajtur disa seanca të jashtëzakonshme, pa pjesëmarrjen e deputetëve të pushtetit. Për nesër është thirrur mbledhja e kryesisë së Kuvendit, me dhjetëra pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.
E në rast se mazhoranca nuk arrin të sigurojë kuorumin e nevojshëm deri në përfundim të këtij sesioni, mbi 50 projektligje që kanë kaluar në lexim të parë do të kthehen në pikën zero./RTK