Mbi 44 vajza të mitura kanë abortuar në Ferizaj, psikologia: Shkaku kryesor nis në familje

Sot u diskutua për rritjen e rasteve të shtatzënive të hershme dhe shkaqet që po çojnë në këtë situatë.

Përderisa mbrëmë “Kiks Kosova” tregoi se mbi 44 vajza të mitura kanë kryer abort në Ferizaj përgjatë pesë viteve të fundit.

Psikologia Atifete Syla tha se pasojat tek vajzat e mitura mund të shkojnë deri në vendimin për abort, e në disa raste nuk përjashtohen as rastet e dhunimit.

Megjithatë, ajo theksoi se pjesa më e madhe lidhet me mungesën e pjekurisë emocionale, dhe edukimit familjar.

“Ndoshta ka edhe raste të dhunimeve, por duke marrë parasysh se kjo është një moshë e papjekur emocionalisht, e cila veprimet zakonisht i merr në mënyrë afektive dhe impulsive, mendoj se faktori kryesor është familja. Sepse zakonisht këto vajza rriten ose nën një prindërim autoritar, ose nën një prindërim neglizhent, ku nuk ka mbështetje emocionale, nuk funksionon komunikimi i mirëfilltë dhe nuk ka kohë cilësore brenda familjes. Prandaj mendoj se edukimi është parësor, por edhe rrethi ndikon shumë”, tha Syla. /Klankosova.tv