Mbi 400 milionë| Shumat marramendëse që BE-ja ia dha Speciales për 9 vjet

Mbi 400 milionë euro është buxheti që e kanë pasur në dispozicion Dhomat e Specializuara të Kosovës nga viti 2016 deri në qershor të 2025-së.

Me gjithë këtë buxhet, Gjykata Speciale ka ngritur vetëm 3 aktakuza për krime lufte ndaj 6 personave dhe 3 aktakuza për pengim të drejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 15 qershori 2016 deri më 14 qershor 2017, buxheti i Dhomave të Specializuara ishte 29 milionë e 100 mijë euro.

Nga 15 qershori 2017 deri më 14 qershor 2018, buxheti ishte 41 milionë e 314 mijë euro.

Nga 15 qershori i 2018-së deri më 14 qershor 2020, buxheti arriti në 86 milionë e 250 mijë euro.

Në vitin 2020, nga muaji qershor deri në qershor 2021, buxheti ishte 42 milionë e 900 mijë euro.

Edhe më shumë miliona patën në periudhën kohore prej qershorit 2021 deri në qershor 2023. 110 milionë e 279 mijë euro është shuma totale për këto dy vjet.

97 milionë e 100 mijë euro i patën nga qershori i 2023-së deri në qershor të këtij viti.

Në total, Dhomat e Specializuara të Kosovës, për 9 vjet kanë pasur buxhet plotë 406 milionë e 943 mijë euro.

Të gjitha këto fonde janë dhënë nga Bashkimi Evropian.

Për dallim nga Gjykata e Prokuroria, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka pasur buxhet shumëfish më të vogël.

Sipas të dhënave nga Ministria e Drejtësisë, që nga fillimi i procesit e deri në korrik të këtij viti, janë dhënë rreth 32 milionë euro nga shteti për avokatët e të akuzuarve.

Në dy raste kur ka pasur aktakuza për krime lufte, verdikti i Speciales ka qenë dënues. Në atë të Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, raporton VoxKosova.

Ndërkaq, procesi ndaj krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – ka filluar në prill 2023, dy vjet e gjysmë pasi që u arrestuan, dhe pritet që aktgjykimi të jepet në maj 2026.

Gjykata Speciale është përcjellë me kritika të mëdha për administrimin e lëndëve dhe trajtimin e të akuzuarve.

Në veçanti, ndaj krerëve të UÇK-së konsiderohet se janë shkelur të drejtat e njeriut, duke mos garantuar një proces të hapur dhe duke i mbajtur gjatë në paraburgim – më shumë se 5 vjet.