Mbi 40 litra shi për metër katror në Kosovë – Gjendja aktuale e lumenjve dhe zonat me tendencë rritjeje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar sot pasdite njoftimin më të fundit lidhur me situatën hidrometeorologjike në vend, pas reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Sipas IHMK-së, situata karakterizohet nga reshje intensive dhe rrezik për vërshime. Nga data 8 janar deri më datë 10 janar 2026 (ora 00:00), në Kosovë ka rënë mesatarisht 41.3 mm (l/m²) reshje shiu.

Ekspertët e Sektorit të Hidrologjisë kanë bërë të ditur se situata në lumenjtë kryesorë të vendit paraqitet e ndryshueshme, e ndikuar ndjeshëm nga shkrirja e borës dhe reshjet e shiut, sidomos në zonat malore.

· Pellgu i Moravës së Binçës: Ky pellg paraqet tendencë ngritjeje. Megjithëse lumi Morava aktualisht ndodhet nën kuotën e tij maksimale, shkrirja e shpejtë e borës e kombinuar me reshjet e shiut po shkakton rritje të nivelit të ujit.

· Pellgu i Lepencit: Edhe në këtë zonë raportohet për tendencë të ngritjes së niveleve dhe prurjeve, si pasojë e drejtpërdrejtë e reshjeve dhe shkrirjes së borës.

· Pellgu i Drinit të Bardhë: Shumica e rrjedhave janë duke pësuar lëkundje. Edhe pse shumica e lumenjve janë nën kuotat maksimale (krahasuar me ditët paraprake), situata mbetet e varur nga reshjet dhe shkrirja e borës në viset malore.

· Pellgu i Ibrit: Në këtë pellg vërehet një situatë më e qetë, me shumicën e lumenjve që kanë shënuar ulje të lehtë. Përjashtim bëjnë rrjedhat me karakter malor, të cilat janë më të ndikuara nga shkrirja e borës në lartësi.