Momentet e shkëlqyera sportive të Barcelonës po reflektohen gjithashtu pozitivisht edhe në departamentin komercial të klubit. Fanella e Barçës është një ndër më të shiturat në nivel botëror. Dëshmi për këtë është rekordi në të ardhura dhe përfitueshmëri, i regjistruar në ushtrimin financiar të mëparshëm të filialit “Barça Licensing & Merchandising” (BLM), që arriti shifrën mes 140 dhe 150 milionë eurosh, siç deklaroi presidenti Laporta.
Këto shifra e bëjnë fanellën e Barçës një nga më të lakmuarat në treg, klubi katalanas po e shfrytëzon këtë me hyrjen e shumë sponsorëve të rinj që reklamohen në uniformat e ndryshme të ekipit (meshkuj dhe femra). Gjatë turit aziatik, në të cilin ndodhet skuadra e drejtuar nga Hansi Flick, janë katër sponsorë që shfaqen në uniformat blaugrana, pesë nëse llogaritet edhe logoja e markës së Kobe Bryant, e cila “debutoi” të enjten në ndeshjen kundër FC Seoul. Në bazë të marrëveshjes së firmosur me “Nike”, skuadra katalanase do të bashkëpunojë me markën e legjendës së basketbollit amerikan përmes multinacionales amerikane për tri sezonet e ardhshme.
Sponsori i fundit që u bashkua ishte qeveria e Republikës Demokratike të Kongos. Të mërkurën e kaluar, Barça zyrtarizoi marrëveshjen sipas së cilës klubi katalanas do të përfitojë mbi 10 milionë euro gjatë katër viteve të ardhshme. Në këmbim, Barcelona do të mbajë sloganin “RD Congo – Zemra e Afrikës” në pjesën e pasme të fanellave të stërvitjes për të gjitha ekipet profesioniste të klubit.

Nëse ka dy sponsorë që dallohen nga të tjerët, ata janë “Spotify” dhe “Nike”. Kompania suedeze dhe multinacionalja amerikane janë partnerët më të mëdhenj të Barcelonës, gjithashtu ato kontribuojnë më shumë në arkën e klubit. “Spotify”, sponsori kryesor i Barçës, paguan rreth 65 milionë euro për sezon, plus një sërë bonusesh që e çojnë shifrën në 70 milionë. Kjo shumë ndahet në:
57.5 milionë për të qenë në pjesën e përparme të fanellave të ekipeve blaugrana (meshkuj dhe femra).
2.5 milionë në formë bonusesh.
5 milionë për prezencën në fanellën e stërvitjes.
5 milionë të tjera për të drejtat e emrit të stadiumit “Spotify Camp Nou”, të cilat do të rriten në 20 milionë pasi të përfundojë ndërtimi i stadiumit.
Nga ana tjetër, rritja më e madhe në lidhje me sponsorët është regjistruar pas marrëveshjes së re me “Nike”, firmosur në nëntor 2024. Përveç shumë veprimeve të dakorduara për të përmirësuar biznesin e “retail”-it të Barçës, kompania nga Oregon i paguan klubit katalanas 122 milionë euro për sezon, siç zbuloi Enric Masip në emisionin “La Posesión”. Kjo shifër përfshin edhe pjesën proporcionale të bonusit të nënshkrimit prej 158 milionë eurosh.

Turi aziatik po rezulton një sukses i madh, si në Japoni, ashtu edhe në Korenë e Jugut, ku interesi për të parë skuadrën e Hansi Flick është maksimal. Në këtë kuptim, sponsori kryesor i këtij turi është “Ambilight TV”, kompania përgjegjëse për dizajnin, prodhimin dhe shitjen e produkteve “Philips TV”. Marrëveshja u firmos në maj të vitit 2023 nga drejtuesit e udhëhequr nga Joan Laporta dhe ka kohëzgjatje prej tri vitesh, me dy të tjera opsionale. Konkretisht, në sezonin e ardhshëm, Barcelona do të përfitojë 12 milionë euro, në këmbim të shfaqjes së logos në mëngën e majtë të fanellës së ekipit të parë. Gjithashtu, do të ketë prezencë edhe në “Spotify Camp Nou”.
Së fundi, “Cupra” është sponsori më pak i zakonshëm në fanellën e Barcelonës. Klubi rinovoi bashkëpunimin me markën premium të “Seat “në vitin 2024, deri më 2025. Marrëveshja parashikon që “Cupra” të vazhdojë të jetë partner global i klubit, duke ofruar automjetin zyrtar për lojtarët e ekipit të parë dhe paguar rreth 7 milionë euro për sezon. Po ashtu, marrëveshja përfshin që logoja e kompanisë të shfaqet në mëngën e djathtë të fanellës gjatë tureve parasezonale dhe ndeshjeve miqësore.
Duke përfshirë sponsorët kryesorë, Barcelona përfiton një total prej 209 milionë eurosh nga të gjithë sponsorët që shfaqen në fanellë. Kësaj shifre mund t’i shtohen edhe 7 milionë të “Cupra”, edhe pse ky sponsor ka një fokus më të madh në hapësira të tjera të klubit.
The post Mbi 209 milionë euro fitime, Barcelona e kthen fanellën e saj në “minierë ari” appeared first on Telesport.










