Mbi 20 mijë kontejnerë municione: Koreja e Veriut po ndihmon Rusinë të bombardojë Ukrainën, thotë OKB

Sipas një raporti të ri nga një grup monitories i OKB-së, Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë mbi 20 mijë kontejnerë me municione dhe ka ndihmuar në rritjen e sulmeve me raketa kundër infrastrukturës civile ukrainase.

Reuters njofton se raporti, i përgatitur nga 11 vende anëtare të OKB-së, përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut, thekson se bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Phenianit shkel hapur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas hetimeve, Rusia ka marrë nga Koreja e Veriut rreth 9 milionë predha dhe raketa, ndërsa në këmbim ka ndihmuar me të dhëna teknike për të përmirësuar raketat balistike të Phenianit.

Bëhet e ditur se që nga shtatori 2023, Koreja e Veriut ka dërguar edhe raketa balistike, artileri të vetëlëvizshme dhe pajisje të tjera ushtarake.

Po ashtu, në raport thuhet se Rusia i ka siguruar Koresë së Veriut sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa kundërajrore dhe pajisje për luftë elektronike.

Kujtojmë se në muajin prill, të dy vendet konfirmuan se Pheniani ka dërguar trupa për të luftuar në krah të Rusisë në Ukrainë, si pjesë e një partneriteti strategjik.