Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për herë të dytë këtë vit, por kësaj radhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.
Ndryshe nga zgjedhjet nacionale, këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë për komunitetet, pasi përcaktojnë drejtimin e qeverisjes lokale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.![]()
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit mbahen nën një atmosferë politike ende të paqartë, pasi të premten është votuar edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe, ku kjo nënkupton se tani është hapur rruga edhe për formimin e Qeverisë së re të vendit, shumë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Por, zgjedhjen e këtij nënkryetari disa deputet e kanë kundërshtuar duke thënë se është jo kushtetuese.
Nën këto rrethana, të dielën më shumë se 2 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë për të zgjedhur drejtuesit lokal.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
205 kandidatë në garë për kryetar komune
Në kërkim të postit më të lartë në nivelin lokal, atë të kryetarit, KQZ ka certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra.
Gara është e hapur për 38 komuna të Kosovës dhe për t’u bërë kryetar komune, sipas ligjit për zgjedhjet lokale, duhet të fitohen 50% +1 votë e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në një komunë të caktuar.
Por, se sa do të arrijnë ta kalojnë këtë kufi qysh në raundin e parë, mbetët të shihet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për “Front Online” se çka ndodhë nëse kandidatët nuk fitojnë më shumë se 50% të votave.
“Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili Kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, tha Elezi.
Mijëra kandidatë në garë për asamble komunale
Përveç për të zgjedhur kryetarin e komunës, të dielën do të votohet për të zgjedhur edhe 942 deputetët lokal, apo siç njihen ligjërisht si anëtar të Kuvendeve Komunale.
Numri i kandidatëve të certifikuar për zgjedhjet për Kuvende Komunale është 5,419, prej të cilëve 3,395 burra dhe 2,024 gra.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ashtu si në zgjedhjet për Kryetar Komune, edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e pandryshuar.
“Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvende Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, vota për subjektin e politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës të atij subjekti politik”, shpjegoi Elezi.











