Mbi 14 mijë pacientë morën shërbime gjatë janarit në Radiologji, lista e pritjes deri në prill

Afër 14 mijë pacientë kanë marrë shërbime në muajin janar në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, ndërsa mesatarja ditore në këtë klinikë është rreth 440 pacientë.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur drejtoresha e kësaj klinike, Shkëndije Nuza.

Ndonëse punojnë me tri aparatura të rezonancës magnetike dhe me mungesë të stafit, Nuza për EO tha se kanë arritur ta ulin ndjeshëm edhe listën e pritjes e cila aktualisht është deri në gjysmë të muajit prill.

“Numri total i shërbimit të pacientëve që kanë marrë shërbimin në Klinikën e Radiologjisë, për vetëm në muajin janar është 13 mijë e 614 pacientë. Këto janë vetëm ekzaminimet ndërsa në këtë listë nuk hynë pacientët për terminë, së paku ditore kërkesat për terminë të rezonancës magnetike i kemi nga 40-70 pacientë kërkesa ditore. Mos të flasim për terminë të CT, biopsi, ultrazë të gjitha këto ekzaminime të cilat kryhen në klinikën tonë. Mesatarja ditore përafërsisht është diku 440 pacientë ditor që frekuentojnë klinikën tonë. Për momentin punojmë me aparatura si rëntgeni statikë e cila është pothuajse në secilin klinik të QKUK-së. Kemi rëntgen mobil dhe statik”, ka thënë Nuza, transmeton Klankosova.tv.

Sfidë në këtë klinikë mbetet mungesa e stafit. Aktualisht, në Radiologji janë vetëm 25 radiologë, gjashtë më pak se para 10 vitesh.

“Radiologët para 10 viteve kemi qenë diku 31 ndërsa tani jemi 25 për arsye se një e kemi në pushim pa pagesë, të cilët kryejnë të gjithë punën dhe shumë më shumë shërbime sesa kanë qenë para 10 viteve. Duke falënderuar kolegët radiolog të cilët punojnë dhe janë të mbingarkuar jemi në pritje të një konkursi të cilin vetëm jemi dakorduar dhe na kanë premtuar nga drejtoritë që do të hapin një konkurs për radiolog. Qëllimi është që të rritet numri i radiologëve. Në këtë mënyrë kemi neve si radiolog por edhe teknik sepse një mjek dhe një teknik duhet të jenë në një linjë”, theksoi ajo.

Ajo ka thënë se gjatë vitit të kaluar, shërbime kanë marrë mbi 200 mijë pacientë, përfshirë shumë ekzaminime për një pacient.

“Është bërë rreth 200 mijë pacientëve që janë realizuar shërbime, mos të flasim për ato ditore që së paku kemi 100 terminë që frekuentojnë vetëm për terminë. Ne kemi pacientë spitalor që asnjëherë nuk hynë në listën e terminëve. Mbi tetë mijë janë bërë rezonanca magnetike mos të flasim për një numër të madh afërsisht 30 mijë CT ekzaminime. Ekzaminime me rëntgen janë bërë mbi 90 mijë pacientë, si ta keni parasysh që ekzaminimet tek ne bëhen me regjistrimin në emrin e pacientit, ndodh që nganjëherë që shërbimet e emergjencës që i bënë 5-6 rëntgen dhe regjistrohet vetëm njëherë si pacient. Tek ekzaminimet me CT tek rastet e emergjencës dhe llogaritet vetëm një pacient, edhe pse përfshinë shumë ekzaminime”, tha mjekja.

Drejtoresha e Radiologjisë ka folur edhe për listën e pritjes. Aktualisht, në këtë klinikë, lista e pritjes është deri më 10 prill.

“Është punuar vazhdimisht kërkesat e pacientëve, lista shkon deri në 10 prilli, mos ta flasim për rastet onkologjike të cilat nuk i quajmë lista të pritjes por i quajmë raste të planifikuara që veprojmë sipas dakordimit që kemi bërë me onkologët. Kemi raste që onkologjia thotë që të caktohet termini mbas gjashtë muajve e kemi edhe atë pacientë që si vijnë kontrollohen dhe i duhet pas gjashtë muajve por ajo nuk është listë në pritje, por është listë e planifikuar për pacientë onkologjik”, u shpreh ajo.