Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se gjatë së dielës janë regjistruar edhe 87 raste të reja me koronavirus.
Ka shkuar në 2 mijë e 677 numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë, kjo pasi që sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, vetëm gjatë së dielës janë regjistruar edhe 87 raste të reja, shkruan lajmi.net.
Instituti bën të ditur se 2 mijë e 677 persona që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus janë nga 23.339 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së, janë 49 persona që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, por të cilët kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Po ashtu IKSHPK-ja ka njoftuar se që nga muaji mars kur edhe është evidentuar rasti i parë me koronavirus e deri më sot janë shëruar 1 mijë e 425 persona.
Bazuar në këto të dhëna të IKSHPK-së, Kosova aktualisht ka 1 mijë e 203 raste aktive me koronavirus.
Duke e parë rritjen e rasteve me të infektuar me COVID-19, të dielën IKSHPK-ja ka bërë apel te qytetarët që të zbatojnë çdo rekomandim të dhënë deri më tani.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, IKSHPK-ja ka paralajmëruar të gjithë qytetarët dhe bizneset.
“Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, bën të ditur Instituti.
Po ashtu Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ua ka bërë të qartë qytetarëve se bartja e maskave është obliguese për secilin qytetar.