Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre. Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.
The post Mbi 100 zjarre të raportuara në Kosovë për 24 orë appeared first on Kosovapost.net.