Mban shënime çdo ditë, di gjithçka mbi lojtarët…; ja si po përgatitet Zidane për Francën

Në Francë raportohet se Zidane po përgatitet të zëvendësojë Deschamps si trajner i kombëtares, pas Botërorit 2026. Sipas “L’Equipe”, momenti pritet të vijë, edhe pse ende nuk dihet data e saktë kur do të marrë drejtimin e “Les Bleus”. Mediat theksojnë se që më 12 korrik, gjatë kremtimit të 27-vjetorit të Botërorit 1998, ishte e qartë se Zidane do të bëhej trajneri i ardhshëm.

Deschamps nuk mori pjesë, ndërsa legjenda të tilla si Laurent Blanc, Boghossian, Vincent Candela, Barthez, Karembeu, Petit, Diomède, Aimé Jacquet, si dhe Pogba e Platini ishin të pranishëm. Zidane u përfshi edhe në shakatë e kolegëve për të ardhmen, duke biseduar gjithashtu me Blanc për eksperiencën e tij si trajner i Francës (2010-2012).

Një mik i afërt i Zidane i tha medias: “Ai di gjithçka…, informacioni i vjen më shumë sesa e kërkon. E di që lojtarët e Francës ëndërrojnë të punojnë me të”. Megjithatë, Philippe Diallo, presidenti i FFF, është më i kujdesshëm: “Është shumë herët, federata do të jetë gati kur të vijë momenti”.

“L’Equipe shkruan”: “Zidane mban shumë shënime, ka ide të qarta për lojën e ardhshme të kombëtares. Ai ndjek rregullisht ndeshjet e Ligue 1, ato europiane dhe përtej. Vëzhgon gjeneratën e re dhe, falë rrjetit të tij, informohet mbi personalitetet e lojtarëve, përfshirë ata që tashmë janë pjesë e kombëtares aktuale”.

The post Mban shënime çdo ditë, di gjithçka mbi lojtarët…; ja si po përgatitet Zidane për Francën appeared first on Telesport.