Mbahuni: Pas rrymës, nga janari 2026 do të shtrenjtohet edhe uji për 40%

Nga 1 janari i vitit 2026 do të shtrenjtohen edhe tarifat për shërbimet e ujit.

Burime të Gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se në takimet që janë mbajtur mes kompanive rajonale të ujësjellësit dhe Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit – ARRU, nga kompanitë është propozuar që të ketë rritje të tarifave prej 40 për qind.
Kjo do të ndikonte direkt në faturat e qytetarëve por edhe bizneseve, duke marrë parasysh se nëse keni paguar 10 euro në muaj për faturën e ujësjellësit, nga janari i vitit 2026 do të paguani 4 euro më shumë ose 14 euro në total.
Për këtë çështje Gazeta Nacionale ka kontaktuar Autoritetin Rregullativ për Shërbimet e Ujit, të cilët nuk kanë konfirmuar saktësisht rritjen prej 40%, por kanë bërë të ditur se janë duke shqyrtuar kërkesat dhe pas analizave do të merret vendimi, kështu që nga janari i vitit tjetër, do të aplikohen tarifat e reja.
Ne jemi në proces të shqyrtimit të aplikacioneve tarifore dhe vendimi do të merret pas analizës përkatëse. Urdhëresat tarifore për periudhën 2026-2028 do të jenë gati dhe do të publikohet më 31 dhjetor 2025. Po, tarifat e reja do të fillojnë nga janari 2026, pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe miratimit të tarifave”, thuhet në përgjigjen nga ARRU për Gazetën Nacionale.
Ani pse nga ARRU nuk është bërë e ditur arsyeja në të cilën janë bazuar kompanitë rajonale të ujësjellësit për rritjen e tarifave që kanë propozuar, Gazeta Nacionale ka kuptuar se njëra nga arsyet është rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe dalja e kompanive në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Se a do të ketë rritje të tarifave edhe të shërbimeve tjera të cilat i paguajnë qytetarët, kjo mbetet të shihet.
Gazeta Nacionale ka provuar të marrë përgjigje edhe nga disa kompani rajonale të ujësjellësit, por deri në publikimin e raportimit tonë, të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje.

Pse po shtrenjtohet uji?

Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) ka treguar pse ka kërkuar rritjen e tarifave për çmimin e ujit.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, kjo kompani ka treguar disa arsyeje që e kanë shtyrë ngritjen e këtyre tarifave.

Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) kanë kërkuar rritjen e tarifave për disa arsye: Rritja e kostos së energjisë elektrike pas kalimit në tregun e lirë; Nevoja për investime në infrastrukturë; Futja në përdorim e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura; Zgjerimi i zonës së shërbimit; Zvogëlimi i koeficientit të ndër-subvencionimit”, është thënë në përgjigjen e kësaj kompanie

Më tej, tarifat mund të ndryshojnë nga rajoni në rajon për shkak të specifikave të ndryshme.

“Tarifat mund të ndryshojnë nga rajoni në rajon për shkak të specifikave të ndryshme të sistemeve të furnizimit me ujë në secilin rajon dhe për shkak se disa kompani tashmë kanë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa disa të tjera jo”, është thënë në përgjigjen e kompanisë.