Ditët e fundit, bota e futbollit mësoi për sëmundjen e Matteo Materazzi, menaxher futbolli, vëllai i Marco Materazzi. Bashkëshortja e tij, Maura, me një mesazh në rrjetet sociale, tregoi se burri i saj vuan nga SLA (skleroza laterale amiotrofike). Të mërkurën, vetë Matteo Materazzi, në një intervistë për “La Repubblica” ka rrëfyer momentin që po kalon:
“Kjo sëmundje është e pabesë, sepse të merr çdo ditë diçka. Më duhet ndihmë për të shkuar në tualet, për t’u larë, për të hipur në makinë. Për të ngrënë duhet të më ushqejnë, duart ende lëvizin, por nuk arrij të ngre krahun. Me këtë sëmundje është e ndaluar të shpresosh, por unë dua të jetoj. Do përpiqem të jetoj sa më shumë të mundem. Edhe natën ëndërroj të vrapoj. Gjëja që më tremb më shumë? Të mos i shoh fëmijët e mi duke u rritur”.
Pastaj flet për fushatën e mbledhjes së fondeve, të nisur nga bashkëshortja: “Shpresa është të gjendet një kurë për një mutacion që më ka prekur mua, ashtu si shumë të tjerë. Vetëm në Sardenjë janë 300 raste. Ndoshta nuk do të shpëtoj unë, por të tjerët po. Po veprojmë në dy drejtime, bashkë me një familje kalabreze dhe një puljeze.
Universiteti i Columbias na ka kërkuar 1.5 milionë euro për të financuar prodhimin e një ASO. Një laborator në San Diego kërkon 1 milion euro për të kërkuar një ilaç që mund të sintetizohet dhe të sillet në Itali. Do të përpiqemi. Nuk e di nëse koha që kam do të mjaftojë.
Deri tani kemi mbledhur 200 mijë euro. Falënderoj Antonio Conten dhe gruan e tij Elisabetta, Simone Inzaghin dhe bashkëshorten Gaia, por edhe ata që kanë dhuruar 5 euro. Më ka shkruar Ibrahimovic, më ka dërguar një “emoji” dhe më ka dhënë forcë. E kam njohur kur luante me Marco”.
The post Matteo Materazzi rrëfen tmerrin me sëmundjen e tij: SLA të merr diçka çdo ditë, ja frika më e madhe appeared first on Telesport.