Me konstituimin e Kuvendit dhe betimin e deputetëve, po në të njëjtën ditë Albin Kurti synon të formojë edhe qeverinë në krye me atë. Të paktën kështu u shpreh gjatë një takimi në Festën e Fitër Bajramit me Myftiun, Naim Tërnavën, raporton Periskopi.
“Pasi u publikuan rezultatet, është një seancë ku japim betimin. Synojmë një seancë për t’u zgjedhur edhe kryetari, kryesia, edhe qeveria, siç e kemi bërë edhe herën e kaluar në të njëjtën ditë”, tha Kurti.
A po ia huq me matematikë Kurti?
Për të ardhur deri tek ndërtimi i Qeverisë së re, duhet 61 deputetë për shumicë parlamentare.
Ndërsa, Kurti i ka vetëm 48 sosh. As bashkëpunimi me pakicat jo serbe nuk mund të nxjerr numrin që kërkohet. Nga kjo parti s’kanë bërë me dije se ku do t’i marrin deputetët e tjerë.
Megjithatë, dje në media u raportua se tre deputetët e NISMA-s “do t’ia votojnë” qeverinë e Albin Kurtit, por pa hyrë me të në koalicion.
Kurse, partitë e mëdha shqiptare kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Kurtin.
Madje gjasat për një koalicion për një qeveri opozitare janë të vogla, kjo për shkak të kushteve që ato i kanë vendosur njëra tjetrës.
Kështu të paktën tha Ramush Haradinaj në një intervistë javën që shkoi.
Ai tha se LDK-ja është ajo që po e bllokon krijimim e një qeverie opozitare.
“Aktualisht pozicionini LDK-së po është bllokues, nuk e mundëson formimin e Qeverisë së opozitës”, u shpreh Haradinaj.
Kush, sa mori më 9 shkurt?
Pas VV-së me mbi 390.000 vota, e dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, duke pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.
Ndërsa, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Tash, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda 30 ditëve të certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Se do t’i përmbahet këtij afati, e konfirmuan edhe vetë nga Presidenca.
“Seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të thirret nga Presidentja Osmani brenda afatit kushtetues”, ka thënë Kupina./Periskopi