Gjykata Themelore në Ferizaj (Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal) ka shpallur aktgjykim dënues ndaj personit juridik “E.D&C” SH.P.K. dhe të pandehurit V.H., për veprën penale të mashtrimit.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku-Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale.
Sipas Gjykatës, personi juridik “E.D&C” SH.P.K. u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit, dhe u dënua me gjobë prej 6.000 euro. Kjo shumë duhet të paguhet brenda 30 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Edhe i pandehuri V.H. u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit dhe u dënua me dy vjet burgim, si dhe me gjobë prej 2.000 euro. Dënimet do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Sipas aktakuzës, më 15 maj 2019 në Ferizaj, përmes personit përgjegjës V.H., kompania “E.D&C” SH.P.K. e kishte mashtruar të dëmtuarin R.H. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore. I dëmtuari kishte shkuar në zyrën e biznesit për të biseduar rreth një plani biznesi për aplikim në një grant bujqësor, kinse të financuar nga shtete të huaja.
Atij i ishte thënë se nëse paguante 4.280 euro në llogari të kompanisë, do të përfitonte një grant bujqësor, konkretisht një traktor me vlerë rreth 25.000 euro. I dëmtuari, gjithnjë sipas aktakuzës, kishte deponuar shumën e kërkuar në bankë në emër të personit juridik, si dhe kishte paguar edhe 800 euro shtesë për përgatitjen e planit të biznesit.
Pas pagesës, i dëmtuari nuk kishte marrë përgjigje nga të pandehurit dhe nuk i ishin kthyer paratë, ndërsa as nuk kishte përfituar grantin e premtuar. Si pasojë e këtyre veprimeve, atij i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë rreth 5.080 euro.
Me aktvendim të veçantë, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi të marrë formë të prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.










