Besa Kabashi-Ramaj, anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës dhe koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të kësaj partie, e ka cilësuar “alarm për sigurinë e Kosovës” skandalin ku kryeministri Albin Kurti u mashtrua nga dy komedianë rusë, të cilët e bindën Kurtin se po fliste në një lidhje telefonike me Presidentin e Letonisë.
“Kryeministri Kurti, është bërë viktimë e një mashtrimi të organizuar nga dy personazhe të njohur rusë – Vovan dhe Lexus – duke menduar se po zhvillonte një bisedë zyrtare me Presidentin e Letonisë. Ky incident paraqet një skandal serioz të sigurisë kombëtare dhe dështim të thellë institucional.” – tha ajo.
Ajo ka kritikuar Zyrën e Kryeministrit për mungesë përgatitjeje dhe verifikimi, duke theksuar se komunikimi është zhvilluar pa përfshirjen e Ministrisë së Jashtme, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) apo Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Shkelje flagrante e protokolleve të sigurisë shtetërore: Kryeministri zhvillon bisedë me një “zyrtar të huaj” pa ndjekur asnjë procedurë verifikimi të identitetit dhe pa përfshirjen e institucioneve përgjegjëse për siguri dhe protokoll shtetëror.
Dështim i zyrës së Kryeministrit dhe stafit të tij: Një komunikim i tillë ndodh pa përgatitje, pa verifikim dhe pa përfshirje të Ministrisë së Jashtme, AKI-së apo Këshillit të Sigurisë Kombëtare – një dështim total i kontrollit institucional.”
Kabashi-Ramaj shprehu shqetësim për cenimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ekspozimin e informacioneve sensitive nga kryeministri Kurti
“Ekspozim i informacioneve sensitive: Kryeministri, në një bisedë të paautorizuar, shpërndan opinione dhe informacione që mund të shfrytëzohen kundër interesave shtetërore dhe partnereve ndërkombëtarë.
Cenim i integritetit dhe imazhit të shtetit: Pamundësia për të dalluar një mashtrim nga një komunikim diplomatik e bën Kosovën të duket si një shtet me protokolle të dobëta dhe i paqëndrueshëm.”
Ajongriti shqetësim edhe për sulmet që Kurti i bëri opozitës, qytetetarëve dhe bizneseve vendore dhe rrezikimit të marrëdhënieve me aleatët.
“Sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës, qytetarëve dhe bizneseve vendore: Në vend se të promovojë unitetin dhe interesin kombëtar, Kurti përdor një platformë që mendon se është ndërkombëtare për të denigruar shtetin që ai drejton, opozitën, për të përçmuar bizneset kosovare dhe për të kritikuar partnerët strategjikë.
Rrezik për marrëdhëniet me aleatët: Në vend të forcimit të aleancave, Kurti u jep municion forcave anti-perëndimore duke nxjerrë publikisht narrativë të dëmshme ndaj SHBA-së, BE-së dhe NATO-s – në një platformë që rezultoi të jetë… një farsë ruse.”