Mashtrim milionësh në Prishtinë, katër të dyshuar në pranga për shitje prone

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar katër persona të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, pas një operacioni të zhvilluar në Prishtinë.

Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh. dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara, përfshirë pasaportën e Serbisë, dhe kanë prezantuar një person të rremë si pronar të vërtetë, për të shitur pronën e ankuesit M.T. me sipërfaqe prej 36.28 ari.

Në këtë mënyrë, ata dyshohet se kanë mashtruar blerësin H.M., duke marrë një shumë totale prej 1,578,180 eurosh.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune operative-hetimore kanë arritur të sigurojnë informata/prova, të cilat dëshmojnë se të dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh., përmes veprimeve të kundërligjshme (falsifikimin e dokumenteve/pasaportën e Serbisë dhe dokumente tjera) dhe duke i përdorur si të vërteta dokumentet e rrejshme (gjithashtu duke prezantuar një person të rrejshëm si person i vërtetë), kanë arritur që ta tjetërsojnë/shesin përmes noterit, pronën e ankuesit M.T. në sipërfaqe prej 36.28 ari dhe njëkohësisht duke mashtruar blerësin H.M., se kinse janë duke ia shitur pronën me dokumentacion të rregullt, ku në këmbim të kësaj kanë marrë të holla në vlerë totale prej 1,578,180.00 euro”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9 mijë euro si provë në procedurat e mëtejshme.

Personat e dyshuar përballen me akuza për “mashtrim” (neni 323 i KPRK-së), “falsifikim dokumentesh” (neni 390 i KPRK-së) dhe “legalizim të përmbajtjes së rreme” (neni 395 i KPRK-së).

“Sot me datën 19.02.2026 të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet më tej në njoftim.