MAShTI miraton Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.

Sipas njoftimit nga MASHTI, ky udhëzim përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë: institucionet parashkollore dhe klasat parafillore, shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, shkollat e mesme të larta dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.

“Kalendari i vitit te ri shkollor gjithashtu përcakton pushimet vjeshtore, dimërore dhe pranverore, si dhe festat zyrtare, për të siguruar një planifikim të qartë e të strukturuar për nxënësit dhe mësimdhënësit.MAShTI shpreh falënderim për anëtarët e grupit punues, të përbërë nga mësimdhënës, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit, të shkollave dhe të vetë Ministrisë, për punën dhe angazhimin e tyre në hartimin e këtij dokumenti gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe drejtuesit e shkollave, MAShTI është duke bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një fillim të mbarë dhe një vit shkollor të suksesshëm, plot mundësi për mësim dhe zhvillim.

MAShTI gjithashtu uron të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një vit shkollor të mbushur me arritje dhe përvoja të reja.

The post MAShTI miraton Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor appeared first on Kosovapost.net.