MASHT merr vendim që në institucionet arsimore të vendosen kutitë e ankesave

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka njoftuar se ka marrë vendim që në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës të vendosen kutitë e ankesave.

Ai këtë e bëri të ditur përmes një postimi në “Facebook” ku dhe ka publikuar vendimin.

Të dashur qytetarë,

Sot kam marrë vendim që në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës të vendosen kutitë e ankesave.

Për zbatimin e këtij vendimi, kam obliguar Drejtoritë Komunale të Arsimit, ndërsa, kutitë e ankesave do të jenë nën menaxhimin e Inspektoratit të Arsimit për një periudhë kalimtare (minimumi 1 vit).

Këtë vendim, e kam marrë me qëllim që të mundësohet parashtrimi i ankesave eventuale lidhur me parregullsitë në institucionet e arsimit parauniversitar.