Masë e përkohshme për Kuvendin, njohësit thonë se procesi mund të kthehet në pikën zero

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme sa i përket konstituimit të Kuvendit.

Pas kërkesës së Listës Serbe, Kushtetuesja ka marrë vendim që deputetëve t’ua ndalojë çdo veprim deri më 30 shtator.

“Gjykata më 4 shtator ka vendosur njëzëri; TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhet në aktgjykim.

E këtë vendim, Kushtetuesja ia dërgoi Kuvendit të Kosovës të premten, të cilin e ka pranuar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

“Kryetari Dimal Basha pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme. Kryetari Basha ka autorizuar administratën që të njëjtin t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Basha.

Në bazë të kësaj mase, sipas profesorit universitar, Avdi Smajljaj, nuk përjashtohet mundësia e kthimit të procesit në pikën zero.

“Si vendim i ndalon aktivitetet e të gjithë deputetëve, duke e përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, që është njëkohësisht edhe deputet, gjë që len për të kuptuar se ndoshta në aktgjykim, mund të shqyrtohet edhe çështja e legjitimitetit të tërë kryesisë së Kuvendit, ndoshta mund ta kthejë tërë procesin në pikën zero”, shprehet ai
Mirëpo, sipas tij, nuk do të përbënte çudi nëse edhe pas aktgjykimit të plotë të Kushtueses, të vazhdonte bllokada.

“Kjo nuk garanton që pas datës 30 shtator, të mos kemi ngërçe të tjera. Sepse fundja, përcaktuese të zhbllokimit të këtij ngërçi janë vullnetet e partive politike. E kemi parë edhe në të kaluarën, Gjykata me disa përpjekje, me disa aktgjykime për të zhbllokuar Kuvendin, por prapë partitë janë treguar kreative në kuptimin e veprimeve që kanë vazhdu bllokadën”, shprehet Smajljaj.

Lista serbe iu drejtua Kushtetueses për mënyrën e votimit në Kuvend për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet pakicë.

Megjithëse, Kuvendi ndau votimin veç e veç për dy nënkryetarët, asnjëri prej deputetëve serbë nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit./teve1.info