Cristiano Ronaldo ka shpallur veten si GOAT-in (Lojtari më I mire i të gjitha kohërave) e futbollit, por ish-shoku i skuadrës së Lionel Messit, Javier Mascherano, nuk është pajtuar aspak me këtë deklaratë.
Në një intervistë me El Chiringuito, përpara 40-vjetorit të tij, Ronaldo bëri disa deklarata të bujshme, duke përfshirë një thumbim për Erik ten Hag, si dhe zbulimin e një klubi që kishte tentuar ta transferonte gjatë kohës kur luante te Sporting CP.
Por ajo që bëri më shumë bujë ishte kur CR7 e shpalli veten si futbollistin më të madh të historisë, përpara Messit, Pele dhe Diego Maradonës.
Ronaldo: “Jam lojtari më i kompletuar në histori”
Duke u mbështetur te statistikat dhe aftësitë e tij, Ronaldo deklaroi:
“Jam lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Nuk kam parë askënd më të mirë se unë në historinë e futbollit dhe po e them sinqerisht nga zemra,” tha ai.
“Flas për shifrat. Mendoj se jam lojtari më i kompletuar që ka ekzistuar ndonjëherë. Unë bëj gjithçka mirë në futboll: me kokë, gjuajtje dënimi, me këmbën e majtë. Jam i shpejtë. Jam i fuqishëm.”
“Është çështje shijeje. Nëse ju pëlqen Messi, Pele apo Maradona, e kuptoj dhe e respektoj këtë. Por të thuash se Ronaldo nuk është i kompletuar… Unë jam më i kompletuari. Nuk kam parë askënd më të mirë se unë dhe e them nga zemra”, shtoi ai.
Mascherano nuk e pranon deklaratën e Ronaldos
Deklaratat e Ronaldos kanë shkaktuar reagime të shumta dhe njëri prej tyre ka ardhur nga Javier Mascherano, ish-shoku i Messit te Barcelona dhe Kombëtarja e Argjentinës.
I pyetur për komentet e Ronaldos gjatë një konference për shtyp me Inter Miami, Mascherano u përgjigj qartë:
“Cristiano duke thënë se është më i kompletuari dhe lojtari më i madh në histori? Kam shumë respekt për Cristianon dhe nuk kam nevojë të analizoj opinionet e tij. Kjo është ajo që ai mendon.”
“Unë kam mendimin tim dhe ai nuk është i njëjtë me të”, shtoi ai.
Mascherano dhe Messi kanë ndarë fushën për shumë vite, si te Barcelona, ashtu edhe me Argjentinën, me momentin kulmor që erdhi në Botërorin 2022, ku Messi udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë dhe për shumë njerëz vulosi statusin e tij si GOAT-i i futbollit.