Masat dyvjeçare të BE-së që gjunjëzuan ekonominë e Kosovës

Hiç më pak se 830 milionë euro vlerësohet se arrin shuma e përgjithshme e projekteve ndërkombëtare të pezulluara ose të ndërprera në Kosovë. Kështu thuhet në një raport të Institutit “GAP”, i cili analizon ndikimin financiar të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovë, masa këto që janë në fuqi që dy vjet.

Sipas GAP-it, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar, përderisa 157 milionë dollar amerikan është vlera e projekteve të anuluara të USAID-it në Kosovë.

Brenda shumës prej 613.4 milionë euro, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro. Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të WBIF. Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro.

“Këto vonesa në fillimin e zbatimit të projekteve nënkuptojnë shtyrje ose humbje të mundësive për rritje, zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht perspektivën për integrim evropian”, potencohet mes tjerash në raport.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar  nisjen e heqjes graduale të sanksioneve ndaj Kosovës, të cilat u vendosën në qershor të vitit 2023 si reagim ndaj tensioneve të rritura në veri të vendit. Kjo masë ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që paralajmëron për pasojat e përkeqësimit të situatës.

Shefja e Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Prishtinë javën e kaluar, deklaroi se procesi i heqjes së sanksioneve është duke u zhvilluar në mënyrë të kujdesshme dhe të kushtëzuar me hapa konkretë.

Në të njëjtën kohë, Kaja Kallas vuri theksin tek mungesa e një qeverie të formuar në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, që po pengon rrugën drejt integrimit evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme. Ajo bëri thirrje për një përpjekje të përbashkët politike për tejkalimin e ngërçit dhe rifillimin e dialogut me Serbinë në mënyrë konstruktive.

Ndërsa nga Bashkimi Evropian kanë thënë se ndonëse heqja graduale e sanksioneve është paralajmëruar nga Shefja e Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, heqja e tyre vazhdon të jetë e kushtëzuar me shtensionimin e gjendjes në veri.

“Përfaqësuesja e lartë e ka ngritur këtë çështje gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, javën e kaluar. Ajo njoftoi se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e vendosura në qershor të vitit 2023. Dhe kjo është e kushtëzuar me vazhdimin e hapave drejt de-përshkallëzimit në veri”, thanë nga BE.

“Nuk duhej të ishim në këtë pozitë”, Arifi kritikon sanksionet e BE-së ndaj Kosovës

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka deklaruar  se Kosova nuk është dashur kurrë të përballet me këto masa ndëshkuese. Sipas tij, mungesa e ndëshkimit për Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë dhe vendosja e masave ndaj Kosovës kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe e kanë vënë në pikëpyetje parimet e tij në raport me dialogun.

“E vërteta është se Kosova kurrë s’është dashtë t’i ketë këto masa. Pas Banjskës mos ndëshkimi i Serbisë ne proces te dialogut i ka vënë hije te keqe politikes “balancuese” te BE karshi dialogut”, ka thënë Arifi.

Ai ka shtuar se përdorimi i termit “nisje” dhe jo “heqje totale” nënkupton se masat do të mbeten të kushtëzuara, me shtensionimin si një nga parakushtet kryesore.

“Me vet faktin se foli për nisjen e jo për heqjen totale te masave u nënkuptua se do te ketë kushte e njeri nga to si duket do te jete shtensionimi”, deklaroi ish-kryenegociatori.

Vllasi për masat e BE-së : Pushteti ia ka varur vetes “litarin në fyt”, jo BE-ja

Azem Vllasi, njohës i zhvillimeve politike në vend, ka analizuar qëndrimin e BE-së mbi masat kundrejt Kosovës  dhe reagimin e qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se nuk ka qartësi se për çfarë tensionesh konkrete në veri po flitet, duke qenë se, sipas tij, realisht nuk ka ndonjë përshkallëzim të ri që e justifikon mbajtjen e masave ndëshkuese.

“Nuk është e qartë pse masat e BE ndaj Kosovës po u varkan nga de tensionimet në pjesën veriore kur atje nuk shihen tensione që po i shkaktojka Kosova. Të jemi të qartë: ata që kanë vendos masa ndaj Kosovës kërkojnë nga pushteti i Kosovës që të lejoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.”, ka thënë Vllasi.

Sipas Vllasit, problemi nuk qëndron tek reagimet e BE-së, por tek mënyra se si pushteti aktual në Kosovë po i trajton çështjet. Thelbi i problemit mbetet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, një strukturë për të cilën Kosova është zotuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Vllasi argumenton se këto marrëveshje janë nënshkruar në mënyrë të pamatur dhe e kanë futur Kosovën në një kurth politik dhe diplomatik.

“Pala kosovare vet ia ka varë vetes rreth qafës këtë obligim duke nënshkruar marrëveshje me Serbinë për këtë dhe në vitin 2013 e 2015. Qeveria e Albin  Kurtit nuk po din të del nga kjo kurth. E përgjigjja dhe rrugëdalja lidhur me këtë është e lehtë”, ka deklaruar  Vllasi.

Ai rikujton se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kontestuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e vendit, çka, sipas tij, e bën të arsyeshme dhe të mundshme që këto marrëveshje të shfuqizohen.

“Marrëveshja me Serbinë për këtë nga viti 2013 e 2015 duhet të shfuqizohet ngase e ka kontestua edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka theksuar Vllasi.

Vllasi thotë  se çështja e Asociacionit është çështje e brendshme dhe duhet të trajtohet brenda sistemit ligjor e kushtetues të vendit.

“Çështja e këtij Asociacioni është ekskluzivisht çështje brendshme e Kosovës ngase ka të bëj me komuna të Kosovës dhe qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, edhe vetë diplomatët perëndimorë e kanë bërë të qartë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos cenojë integritetin institucional të shtetit.

“Derisa edhe zyrtarë të shteteve perëndimore thonë se ky Asociacion duhet të jetë përbrenda sistemit kushtetuese e ligjit të Kosovës e jo si njëfarë “Republika Serpska” sikur në Bosnje, kjo nuk duhet të jetë problem”, thotë Vllasi.

Ai gjithashtu ka kritikuar  mosrealizimin e premtimeve të qeverisë, duke kujtuar se kur Kosova ishte në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përfaqësues të qeverisë patën deklaruar se do t’ia dërgonin Gjykatës Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin si hap përmbushës ndaj këtij kushti. Megjithatë, një vit më vonë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe çështja e anëtarësimit është zbehur nga diskursi publik.

Sipas Vllasit, Kosova po paguan çmimin për veprimet dhe neglizhencën e vet, dhe nuk ka arsye të fajësohen faktorë të jashtëm për masat ndëshkuese. Ai thekson se vetëm pushteti aktual ka mundësinë dhe përgjegjësinë për ta zgjidhur këtë ngërç dhe për ta kthyer vendin në rrugën e normalizimit dhe të integrimit evropian.