Në gjykimin ndaj Gavrillo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, në seancën e së enjtes, më 10.04.2025, kanë dhënë dëshminë dy dëshmitarë.
I pandehuri Milosavleviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshmitari Skender Rracaj deklaroi se prej janarit të vitit 1999 deri me datë 24 maj 1999 kishte qenë i burgosur në Burgun e Dubravës.
Gjatë dëshmisë së tij Rracaj rrëfeu dy momentet që i ishin kujtuar kur kishte kuptuar nga mediat se i akuzuari Milosavleviq ishte arrestuar. I njëjti tha se të akuzuarin e kishte njohur vetëm me pseudenimin “Gagi”, ndërsa nga mediat kishte kuptuar emrin e tij të plotë.
“Ato janë momentet për mua më të trishtueshme se m`u ku kujtu momenti kur janë pushkatu shokët në fushë të sportit ku ‘Gagi’ ka qenë te karaulla nalt dhe ku kanë jep urdhër me gjujt me i vra të burgosurit. Jam i sigurtë që e kam parë dhe ky ka qenë momenti ku më ka rikujtu krejt ngjarjen”- tha dëshmitari Rracaj.
“Tjetra më e rëndë që ka qenë për neve më 24 maj 1999 kur na kanë bë transferin për burgun e Lipjanit, na kanë urdhëruar m`i ngarku kufomat e shokëve tanë që i kanë vra kta, dhe në mesin e tyre ka qenë edhe tani i pandehuri këtu dhe na kanë urdhëru me i ngarku kufomat”- shtoi tutje dëshmitari Rracaj.
Dëshmitari Rracaj tha se gjatë kohës sa kanë qëndruar në Burgun e Dubravës kishte qenë e pamundur mos t`u a dinin pseudenimet e gardinëve në Burgun e Dubravës.
“Katër muaj rreth kemi qëndru, dhe u kanë e pamundur mos me ia u ditë pseudenimet e gardianëve, për shkak të presionit dhe dhunës që e kanë bërë ndaj nesh, ku në mesin e tyre është edhe pseudenimi i të akuzuarit për të cilin e kam cekë edhe në prokurori më herët, ku ky ka ardhur në pavijonin C, ku kemi qenë të izoluar ku kanë rrahur të burgosur me kolegë të vet”- tha dëshmitari Rracaj.
Dëshmitari Rracaj tha se kur iu ishin marrë shënimet personale të burgosurëve nga gardianët edhe i akuzuari Milosavleviq kishte qenë prezent dhe kishte qenë i uniformuar me uniformë më ngjyrë të kaltër, dhe se të njëjtin e kishte parë duke i rrahur të burgosurit përmes një vrime.
Tutje, dëshmitari Rracaj tha se kur kishin ardhur Organizatat Ndërkombëtare në burg, të njëjtit i kishin paraqitur shqetësimet e tyre.
“Po i kemi paraqitur para Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të Gjenevës po e kemi pësuar edhe më keq se na kanë thanë pse po ankoheni. Na kanë rre ‘pse po ankoheni’”-deklaroi dëshmitari Rracaj.
Tutje, dëshminë e ka dhënë edhe dëshmitari Bajram Behluli, i cili deklaroi se nga viti 1988 deri më 15 qershor 1998 kishte punuar në cilësi të gardianit në Burgun e Dubravës.
Dëshmitari Behluli tha se më datë 15 qershor 1999 dy gardianë serb nuk ishin lejuar që të hynë në Burgun e Dubravës.
“Më 15 qershor me ardhjen time me shokët e tjerë me autobus për të hyrë në Burgun e Dubravës dy gardianë serb kanë hy në autobus në portën kryesore të Burgut të Dubravës dhe kanë thënë me keqardhje iu njoftojmë se çka janë shqiptarë boshnjakë edhe romë duhet me dalë prej autobusit dhe kemi dalë na çka kemi qenë, kemi marrë urdhër me shku në burgun e Gjurakovcit. Kemi marrë urdhër nga ai gardiani që ka hi në autobus që të shkojmë në burgun e Gjurakovcit”- tha dëshmitari Behluli.
DëShmitari Behluli tha se gjatë kohës sa kishte punuar në Burgun e Dubravës të akuzuarin Milosavleviq e kishte e parë me një aparat në dorë, dhe se të akuzuarin në burg gjithnjë e kishte parë me rroba civile.
“E kam parë të akuzuarin me një aparat në dorë i cili në dhomën e pranimit kur kanë ardhur të burgosurit i ka fotografuar më tepër nuk di. Asnjëherë të gardianit këtij nuk i kam parë uniformë por ky gjithherë ka qenë civil”- tha dëshmitari Behluli.
Tutje, dëshmitari Behluli tha se përgjatë kohës rreth 10 vite që kishte punuar në Burgun e Dubravës me të akuzuarin nuk ishin përshëndetur dhe as emrin nuk ia kishte ditur.
Në mungesë të dëshmitarit tjetër që kishte qenë i paraparë të dëgjohej gjatë seancës, seanca e sotme 10.04.2025 u ndërpre, dhe e radhës është e caktuar për datë 11.04.2025.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur, raporton Kallxo.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.