Masa e përkohshme për konstituimin e Kuvendit: Çfarë vendimi mund të sjellë Kushtetuesja?

Vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po konsiderohet e domosdoshme nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas tyre, masa e Kushtetueses do të ndalojë të gjitha veprimet e mëtejme për formimin e qeverisë dhe vazhdimin e punës së Kuvendit deri më 30 shtator, raporton KosovaPress.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, më 5 shtator, masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit, pas ankesës së deputetëve të Listës Serbe.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare.

Mirëpo, ky veprim i kryeparlamentarit Basha, sipas hulumtuesit në IKD, Naim Jakaj, ka qenë shkelje e Kushtetutës.

Jakaj: Masa e përkohshme nga Kushtetuesja ka qenë e domosdoshme

“Një masë e tillë e përkohshme e vendosur sot nga Gjykata Kushtetuese ka qenë e domosdoshme, në mënyrë që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme të formimit të qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit. Pritjet kanë qenë që LVV-ja të dërgojë mandatarin drejt presidentes dhe presidentja të aktivizohet që t’ia kërkojë mandatarin LVV-së”, thotë Jakaj.

Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 30 gusht, pasi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, mori vendim që zgjedhja e dy nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë të bëhet ndaras dhe jo në pako, sikurse ka qenë praktika e kaluar.

Kësisoj, nga radhët e komuniteteve joserbe, Emilja Rexhepi u zgjodh nënkryetare, mirëpo dhjetë deputetë të komunitetit serb, përfshirë edhe Nenad Rashiq, dështuan të sigurojnë 61 votat për të marrë këtë post.

Sipas Jakajt, ndryshimi i procedurës për votimin e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është shkelje e Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikave të kaluara parlamentare.

Ai thotë për KosovaPress se me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb janë cenuar garancitë kushtetuese në raport me këta të fundit.

Jakaj: Basha shkeli me dy këmbë Kushtetutën

Kryetari Basha në seancën e fundit që u mbajt, shkeli me dy këmbë Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare. Ai nuk zbatoi në mënyrë të drejtë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, si atë të vitit 2014, po ashtu edhe të korrikut dhe gushtit të vitit 2025. Një masë e tillë i shërben evitimit të rreziqeve ose dëmeve që mund të jenë edhe të pariparueshme. Një masë e tillë është në interesin publik. Një trajtim i kësaj lënde me seriozitet, pasi ne konsiderojmë se janë cenuar garancitë kushtetuese në raport me komunitetin serb”, thekson Jakaj.

Andaj, hulumtuesi në IKD thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të kthejë procedurën në pikën e zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë, në pako.

Jakaj: Kushtetuesja pritet të vendosë për rikthim të votimit në pako për dy nënkryetarët nga pakicat

“Në këtë pikë besoj se do të kthehet Gjykata Kushtetuese. Besoj se kryetarit të Kuvendit do t’i kërkohet të përsëritet votimi në pako për dy nënkryetarët nga komunitetet, në mënyrë që të kthehen garancitë kushtetuese, ashtu siç është vendosur përmes Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit”, deklaron ai.

Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, e cila ishte paraparë të mbahej të dielën, Jakaj deklaron se ajo tashmë është jorelevante, pasi presidentja nuk mund t’ia kërkojë mandatarin LVV-së, meqenëse është vendosur masa e përkohshme nga Kushtetuesja.

Jakaj: Presidentja nuk mund t’ia kërkojë mandatarin LVV-së

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të dërgojë një emër për mandatar për kryeministër te presidentja, përderisa ajo t’ia kërkojë mandatarin LVV-së. Proceduralisht, presidentja nuk mund të protokollojë shkresën e dërguar nga LVV-ja edhe për arsyen e masës së përkohshme sot të Kushtetueses. Ata mund të mbajnë një mbledhje e cila është sipas statutit të LVV-së, por ajo nuk ka asnjë vlerë juridike në kuptimin e nisjes së procedurës për formimin e qeverisë. Duhet presidentja t’i kërkojë mandatarin dhe ndërkohë ajo të mbajë mbledhje. Por, meqenëse ajo ka paralajmëruar mbledhje, ajo mund të mbahet, por juridikisht nuk do të ketë asnjë pasojë”, përfundon Jakaj.

Pas mbylljes së seancës konstituive nga kryeparlamentari Basha, kundërshtime për një gjë të tillë kanë shprehur edhe partitë e tjera parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, Kuvendi nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari i legjislativit nga radhët e komunitetit serb.