Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos ka hedhur poshtë propozimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës, të cilët bënë thirrje për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos, shkruan gazeta serbe Nova.rs.
Konkretisht, komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nuk është e sigurt nëse Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama e dinë se sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit.
“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, ka thënë Kos në intervistën e djeshme për Politico.

Ajo ka shtuar se Komisioni Evropian tashmë ka paraqitur tri opsione (për politikën e zgjerimit) për vendet.
“Dhe pa vendimet e vendeve anëtare nuk mund të ecim përpara. BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re anëtarësimesh”, ka thënë Kos.
Kos gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk mbështesin idetë e Komisionit për zgjerimin, që të propozojnë planet e tyre, transmeton Paparaci.
Euractiv së fundmi ka publikuar, duke iu referuar burimeve jozyrtare, se Komisioni Evropian po shqyrton tre opsione kryesore për politikën e ardhshme të zgjerimit – i pari do të nënkuptonte që sistemi ekzistues të mbetet i pandryshuar, i dyti i ashtuquajturi “integrim gradual”, ndërsa i treti “integrim fazor”, përkatësisht “i kthyeshëm”.
Siç u shpjegua, “integrimi gradual” do të nënkuptonte që vendet kandidate t’u bashkohen një sërë iniciativash dhe programesh të BE-së, por pa marrë anëtarësim formal, ndërsa “integrimi fazor” do të nënkuptonte që shtetet të marrin shpejt anëtarësim zyrtar dhe më pas të vazhdojnë të zbatojnë reformat.
“Që nga shkëmbimi i parë me shtetet anëtare është e qartë se opsioni numër tre nuk është në rregull. Kjo do të ishte një revolucion. Opsioni numër një, status quo-ja, gjithashtu nuk është një opsion”, theksoi Kos.
Siç rikujton Nova.rs, Rama dhe Vuçiqi në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, bënë thirrje për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos.
Në një tekst të përbashkët autorial, Rama dhe Vuçiqi theksuan se këto vende nuk do të kishin të drejtë vetoje brenda BE-së dhe vlerësuan se në këtë mënyrë do të zbuteshin shqetësimet e atyre vendeve anëtare që janë të rezervuara për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.
“Shumë evropianë pyesin nëse BE-ja mund të vazhdojë të funksionojë në mënyrë efektive me shumë më tepër anëtare. Shqetësimet për vendimmarrjen, balancën institucionale dhe kohezionin politik janë legjitime. Udhëheqësit në Paris, Berlin dhe gjetkë theksojnë se reformat e brendshme të BE-së mund të jenë të nevojshme për të siguruar që një BE e zgjeruar të mbetet e aftë për veprim vendimtar”, kanë theksuar Rama dhe Vuçiqi./Paparaci.com










