Qytetarët e Kosovës në disa raste janë të detyruar të japin të dhënat e tyre personale, konkretisht numrin personal ose edhe kopjen e letërnjoftimit, në rast se duan të kthejnë qoftë edhe ndonjë produkt që e kanë blerë më parë, në ndonjë dyqan ose market në Kosovë.
Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi e konfirmojnë se qytetarëve u janë marrë kopjet e ID-së.
Ka qytetarë që kanë bërë edhe ankesa në institucionet përkatëse të Kosovës në lidhje me këtë veprim. Konfirmimin për pranimin e ankesave të tilla e ka bërë për RTKlive.com edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
“Agjencia ka pranuar ankesa nga disa qytetarë lidhur e atë që një kompani (në cilësinë e kontrolluesit) ka kërkuar nga klientët që gjatë pagesave që janë bërë në monedhë 200 euro, t’i merret në formë të kopjimit dokumenti i identifikimit (letërnjoftimi)”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.
Sipas AIP-së, pas trajtimit të këtyre ankesave, Agjencia ka konstatuar se e njëjta nuk ka pasur bazë ligjore për të përpunuar të dhënat personale në këtë mënyrë.
“Me këtë rast, Agjencia ka nxjerrë vendim ndaj këtij kontrolluesi dhe ka obliguar të ndaloj përpunimin e të dhënave personale në këtë mënyrë dhe ka obliguar që të shkatërrojë të gjitha të dhënat personale që ka grumbulluar me rastin e kopjimit të dokumentit identifikues”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.
“Bau Holding” është njëra ndër kompanitë që ka disa pika të shitjes në Kosovë, e cila sikurse shumë të tjera, ka pasur raste kur ka marrë të dhënat personale të disa klientëve, duke u kërkuar numrin personal të letërnjoftimit. Megjithatë, në këtë kompani shpjegojnë se këtë e bëjnë për shkak të kërkesës që kanë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Zyrtarja Ligjore në këtë kompani, Yllkë Krasniqi, tregon se me rastin e kthimit të një produkti të blerë në dyqanet e tyre, klientit i kërkohet kuponi fiskal i blerjes dhe i njëjti pajtohet që të plotësojë një formular të cilin ne si biznes, ua kërkon Administrata Tatimore e Kosovës, si dëshmi që kthimi është realizuar nga një person real.
“Çdo person fizik/juridik i cili paraqitet në ATK në cilëndo zyrë regjionale, mundet të ketë qasje në këtë formular. Pra për t’ju sqaruar, ne jemi vetëm bartës të informatave dhe nuk përcaktojmë pyetjet në formular. Këta formularë nga ne ruhen si kopje fizike, dhe i prezantohen Administratës Tatimore të Kosovës me rastin e kontrolleve rutinë”, thotë Krasniqi, duke shpjeguar se ata vetëm zbatojnë ligjet në fuqi në lidhje me këtë cështje.
ATK: Është ligjore marrja e të dhënave personale
Administratën Tatimore e Kosovës konfirmon se kthimi i produkteve të shitura, duhet të regjistrohet në librin e shitjeve të kthyera.
“Gjithashtu, për produktet e kthyera duhet të plotësohet proces-verbali për kthimin e produkteve të shitur me kuponë fiskal tatimor i cili i ka të gjitha elementet e nevojshme për identifikimin e produktit të shitur”, i ka thënë Valentina Bytyqi – Sefa nga Administrata Tatimore të Kosovës (ATK) për RTKlive.com.
Sipas saj mbajtja e evidencave duhet të bëhet në përputhje me Ligjin për ATK-në .
Hoxhaj: Për të dhënat personale autoritet është vetëm Agjencia për Informim dhe Privatësi
Eksperti Mentor Hoxhaj, ka vlerësuar se në aspektin ligjo, autoritet mbikëqyrës për të dhënat personale është Agjencia për Informim dhe Privatësi.
“Shopping online është duke ndodhur nga kompanitë të cilat nuk janë fare të regjistruara online. Marrja e të dhënave personale dhe përpunimi tyre është në pajtim me legjislacionin në fuqi, në rastet kur kontrollori (kompania), ka obligim ligjor. P.sh në rastet kur bëhet transaksion në vlerë minimale prej 1 euro. Për shkak të obligimit që kanë kontrollorët në pajtim me ligjin kundër shpëlarjes së parave (Anti money laundering), janë të obliguara të marrin të dhënat personale, kjo do të thotë se kompanitë përpunojnë të dhënat personale, nëse ATK u kërkon një gjë të tillë”, thotë Hoxhaj.
Sipas tij, kjo mund të ndodhë për shkak të ndonjë akti ligjor apo nënligjor të cilin gjithashtu mund të interpretohet nëse është në pajtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Në rast se ATK ka nxjerrë ndonjë akt nënligjor obligues e i cili është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ai akt nënligjor duhet shpallur null, respektivisht e të largohet”, theksoi Hoxhaj.
Aktualisht, të dhënat personale të kosovarëve merren edhe nga shumë kompani të tjera si ato të telefonisë mobile, spitaleve private, operatorëve kabllorë, në markete të mëdha e madje edhe nga dyqanet online. /rtk