Jo më larg se një javë kanë mbetur të vdekur dy persona dhe gjashtë të tjerë kanë marrë lëndime në një aksident komunikacioni, i cili ka ndodhur në Gjakovë. Ndërkohë që vetëm tre muajt e parë të këtij viti në aksidente komunikacioni kanë gjetur vdekjen 24 persona.
Vdekjet në komunikacion kanë shënuar rritje tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa aksidentet me lëndime kanë shënuar rënie.
Njohës të sigurisë rrugore thonë se një nga arsyet për numrin e madh të aksidenteve është edhe aftësimi në mënyrë joadekuate i shoferëve të rinj, duke potencuar se në Kosovë mund të marrësh patentë shoferin duke paguar, ani pse nuk i përmbushë kriteret e nevojshme për t’u pajisur me atë.
Ditë më parë për numrin e madh të aksidenteve kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke thënë se duhet të analizohen pse po ndodhin. Madje ai kishte thënë se ka dyshime se edhe në marrjen e patentë shoferëve ka dobësi.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të analizojë shkaqet që kanë quar në ngritjen e numrit të aksidenteve tragjike në rrugët e Kosovës dhe të rekomandoi masa për parandalimin e këtyre aksidenteve.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se edhe lëshimi i patentë shoferëve ose mënyra e marrjes së një leje të shoferit në Kosovë mund të ketë dobësi. Ta shqyrtoni këtë, por njëkohësisht të shihni planin operativ për komunikacion të Policisë”, kishte thënë kryeministri në mbledhje të Qeverisë.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës për lëshimin e patentë shoferëve, ku përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se nëse hasin në raste ku nuk respektohet ligji, ndaj shkelësve do të merren masa ligjore.
“Departamenti për patentë shoferë, në kuadër të kompetencave të veta bënë implementimin e legjislacionit në fushën e dhënies së provimit për patentë shofer, dhe nëse hasim në rastet (në bazë të fakteve), ku nuk respektohet legjislacioni ndaj shkelësve do të merren masat ligjore të parapara”, thuhej në përgjigje nga zyra për media e Ministrisë së Infrastrukturës.
Në anën tjetër, është Visar Baxhuku nga Kolegji “Tempulli”, i cili thotë se nuk ka ndonjë fshehtësi se në Kosovë patentë shoferi mund të merret edhe përmes pagesës, por që sipas tij, organet kompetente po heshtin.
Sipas tij, marrja e patentë shoferit në këtë mënyrë po bënë që edukimi i shoferëve të rinj të ketë dobësi dhe pastaj po ndodhin aksidentet në komunikacion.
“Derisa kryeministri paska informacione për atë formë, unë besoj se kryeprokurori ka qenë dashur ta ketë edhe më herët. Kjo është ajo e keqja në kuptimin e njohurive për një dukuri ka arritur deri tek kryeministri, kurse organet që janë për këto çështje nuk kanë dhënë ndonjë informacion. Nuk është ndonjë fshehtësi shumë e madhe se në Kosovë patentë shoferët mund ta marrësh edhe përmes pagesës pa arritur t’i përmbushin kriteret. Nuk është diçka që ka një strukturë të caktuar se duhet të lajmërohen në filan adresën, por në bazë të informacioneve ka indikacione se kjo është në formë të organizuar dhe kish me qenë shumë vështirë me e gjet për prokurorinë këtë çështje, për arsye se dihen ku merren patentë shoferët”, ka thënë ai.
Nga Policia e Kosovës thonë se shkaktarët më të shpeshtë të dyshuar për aksidente janë manipulimi i pasigurt me automjet, mosmbajtja e distancës e mospërshtatja e shpejtësisë.
Jeton Rexhepi, ushtrues detyre i drejtorit të divizionit të komunikacionit rrugor, ka thënë se bazuar në të dhënat që i kanë për periudhën janar-mars të këtij viti, por edhe në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të numrit të aksidenteve që përfundojnë me fatalitet.
“Mund t’iu them që sa i përket aksidenteve në përgjithësi, aksidenteve më lëndime dhe me dëme mund të themi se kemi rënie. Ndërsa, numri i aksidenteve me fatalitet dhe personave që kanë humbur jetën në ato aksidente është në rritje. Numri i aksidenteve me fatalitet është në rritje për 6 persona më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, apo i kemi 7 persona më shumë se sa janar-mars 2018. Numri i aksidenteve me lëndime ka shënuar rënie për 21.22 për qind, numri i personave të lënduar ka shënuar rënie për 26.91 për qind, numri i aksidenteve me dëme materiale ka shënuar rënie për 9.06 për qind dhe numri i përgjithshëm është në rënie për 13.52 për qind. Ndërsa, numri i kundërvajtjeve të cilat janë identifikuar, po ashtu janë ndërmarrë masa ndaj kundërvajtësve është në rritje për 18.50 për qind”, ka deklaruar ai.
Rexhepi thotë se si Polici e Kosovës në vazhdimësi ndërmarrin plane dhe operacione për të ndikuar në vetëdijesimin e shoferëve për respektim të rregullave të komunikacionit, në mënyrë që të zvogëlohet numri i aksidenteve.
Ai ka bërë të ditur se numri i kundërvajtjeve është rritur për 18.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, ku në vitin 2018 janë shqiptuar 85332 tiketa, ndërsa për tre muajt e këtij viti janë shqiptuar 101115 tiketa.
“Është zbatuar edhe ligji sa i përket masave të tjera siç janë plotësuese, është masa mbrojtëse dhe pikët negative. Është një numër i kundërvajtësve të cilët vetëm gjatë këtij tre mujori janë diku rreth 7 mijë kundërvajtës të cilët kanë marrë pikë negative dhe rreth 2 mijë kundërvajtësve iu ka ndaluar drejtimi i automjetit për periudha të ndryshme, duke filluar nga tre deri në 24 muaj”, ka thënë ai.
Sa i përket masave që ndërmerren nga Policia dhe institucionet e tjera për sigurinë në rrugë, Visar Baxhuku nga Kolegji “Tempulli”, thotë se para se të ndërmerren këto masa duhet të bëhet një analizim i shkaqeve që po dërgojnë deri tek aksidentet.
“Duhet të studiohen shkaqet pse po ndodhin pastaj me fillua me marrë masa. Në situatën masat që po ndërmerren shpesh herë kemi përshtypjen se janë të paqëlluara, kemi ardhur në një situatë ku situata është e rëndë dhe të marrim një masë të provojmë dhe shpesh herë ato masa po kanë efektin zero ose po janë afatshkurtra. Kjo është ajo mungesa e njohurive se çka po shkaktojnë për të marrë masën e qëlluar, për të bërë matjen e vlerës së asaj mase se sa ka dhënë rezultat për të bërë përmirësimin me rrit rezultatin, por kjo nuk bëhet në periudhë afatshkurtër për një muaj, tre, këto janë politika që duhet të bëhen tri vjeçare dhe të përcjellën, jo pas tre muajve përfundon ajo masë dhe nuk asnjë rezultat”, ka thënë ai.
Numri i përgjithshëm i aksidenteve për tre muajt e parë të këtij viti është 2 mijë e 949 aksidente, kurse një vit më parë kishin ndodhur 3 mijë e 410 aksidente.