Britania nënshkruan kontratën e saj më të madhe të eksportit në dekada, me vlerë 8 miliardë paundë.
Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike me vlerë 10.7 miliardë dollarë për blerjen e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon, gjatë vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Ankara të hënën.
Sipas njoftimit të qeverisë britanike, marrëveshja – me vlerë deri në 8 miliardë paundë – përbën kontratën më të madhe të eksportit të Mbretërisë së Bashkuar në dekada dhe është porosia e parë e re për avionët Typhoon që nga viti 2017. Dorëzimet e para pritet të nisin në vitin 2030.
Në bazë të marrëveshjes, BAE Systems do të prodhojë komponentët kryesorë të avionëve, do të kryejë montimin final dhe integrimin e armëve në impiantet e saj në Lancashire, duke gjeneruar punë për rreth 20 mijë vende pune në industrinë britanike. Paketa e armëve do të furnizohet kryesisht nga kompania MBDA, dhe përfshin raketën Meteor me rreze të gjatë veprimi.
BAE Systems pritet të përfitojë rreth 4.6 miliardë paundë nga ky program, përfshirë pjesëmarrjen e saj në MBDA.
Me këtë marrëveshje, Forcat Ajrore Turke bëhen operatori i dhjetë në botë i Eurofighter Typhoon, duke konsoliduar rolin e këtij avioni në mbrojtjen ajrore ndërkombëtare.
Pas takimit midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit Starmer në Kompleksin Presidencial të Ankarasë, ministri turk i Mbrojtjes Yaşar Güler tha se Turqia planifikon gjithashtu të blejë edhe 12 avionë Eurofighter nga Katari dhe Omani, me dërgesat e para nga Katari që pritet të mbërrijnë në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjatë vizitës, tre avionë Eurofighter të Forcave Ajrore Mbretërore mbërritën në bazën ajrore Mürted në Ankara, ku u pritën nga avionë F-16 turq.
Starmer dhe sekretari britanik i Mbrojtjes John Healey takuan pilotët britanikë në bazë.
“Në të dy skajet e Evropës, Britania dhe Turqia janë partnere thelbësore për përballimin e sfidave të kohës sonë. Kjo marrëveshje do t’i afrojë më shumë forcat tona të armatosura”, deklaroi Starmer.
Sipas autoriteteve turke, blerja e avionëve Eurofighter do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme për modernizimin e flotës ajrore, deri në futjen në përdorim të avionit luftarak vendas Kaan.









