Sezoni nuk u mbyll ashtu sikurse pritej për PSG, që dje pësoi një humbje të thellë 0-3 ndaj Chelsea në finalen e Kupës së Botës për klube. Pas debaklit, kapiteni Marquinhos foli për të analizuar humbjen.
“Ata na goditën në pikat tona të dobëta. Taktikisht, na vunë në vështirësi në pjesën e pare dhe na u desh pak kohë për të reaguar. Këto janë aspekte që do të duhet t’i përmirësojmë në të ardhmen”, tha braziliani.
“Të gjitha ekipet do të na studiojnë plotësisht, për të kuptuar se çfarë bëjmë mirë dhe çfarë jo. Varet nga ne të japim gjithmonë gjithçka. Chelsea fitoi betejën fizike, veçanërisht në pjesën e parë”, deklaroi Marquinhos.
Më tej, kapiteni i PSG tha: “Ata fituan shumë duele dhe ne ishim pak nën potencialin tonë, kështu që ishte e vështirë. Ata ishin shumë cinikë dhe kjo ndryshon gjithçka. Patëm raste, por nuk ishim efektivë në pjesën e parë dhe u ndëshkuam”.
“Tifozët janë gjithmonë aty për ne, në kohë të mira dhe të këqija. Ne me të vërtetë donim ta sillnim këtë trofe përsëri në Paris. Është një trofe që luhet çdo katër vjet, ishte një mundësi e artë, jo vetëm për ne”, shtoi Marquinhos.
“Më vjen keq, nuk ia dolëm, por kjo nuk i heq asgjë këtij sezoni të jashtëzakonshëm. Humbëm me pikat tona të forta dhe filozofinë tonë. Nuk u fshehëm, u përpoqëm të luanim lojën tonë. Chelsea e meritonte dhe ishte më efektiv se ne”, tha Marquinhos.
The post Marquinhos: Chelsea na goditi në pikat e dobta, kjo humbje nuk i heq asgjë këtij sezoni të jashtëzakonshëm appeared first on Telesport.