Marotta e konfirmon: Mesazhi i ashpër i Lautaros i drejtohej Calhanoglu

Giuseppe Marotta foli pas eliminimit të Interit nga Kupa e Botës për Klube, ardhur nga dora e Fluminense, që arriti të fitonte 2-0 në Charlotte. Presidenti zikaltër bëri një bilanc të sezonit 2024/25, që tashmë mund të konsiderohet i përfunduar, dhe komentoi gjithashtu fjalët e forta të Lautaro Martinez pas ndeshjes.

“LAUTARO I REFEROHET CALHANOGLU”
“Unë them që ndërhyrja e Lautaros është shumë emocionuese dhe domethënëse. Ai është kapiteni dhe kërkon ndjenjën e përkatësisë. Edhe unë e kam thënë gjithmonë, kur një lojtar thotë se dëshiron të largohet, dera është e hapur. Nuk e tha ai, por po e them unë, fjala është për Calhanoglu. Gjithsesi, nuk duhet ta hedhim fajin vetëm mbi Calhanoglu, do të flasim me të. Për momentin nuk ka kushte për t’i ndarë rrugët tona. Nëse do të ketë, do ta bëjmë pa probleme”, – nënvizoi presidenti zikaltër.

“NE DUAM TË JEMI PROTAGONISTË”
“Sezonin tjetër duam të marrim pjesë në të gjitha kompeticionet si protagonistë. Ne duam të mbrojmë historinë dhe ‘palmaresin’ e Interit. Merkatoja është e gjallë edhe nga ana e konkurrentëve tanë. Ne do të jemi konkurrues. Kemi bërë tashmë operacione interesante, jemi shumë të kënaqur me përforcimet e reja dhe me trajnerin, që ka treguar aftësi të mëdha”, – shtoi Marotta.

“SEZON I LODHSHËM, POR POZITIV”
“Sezon i lodhshëm, kemi luajtur 21 ndeshje më shumë se disa nga kundërshtarët tanë. Megjithatë, kemi qenë protagonistë si në Itali, ashtu edhe jashtë saj. Të arrish i dyti nuk është një dështim. Shkalla jonë e ambicies do të jetë gjithmonë e lartë, duhet të japim maksimumin. Në fakt, maksimumi është dhënë, këtë e garantoj. Ky është futbolli, sezoni është absolutisht pozitiv”.

Lautaro, shumë i ashpër pas Inter-Fluminense: Kush nuk dëshiron të qëndrojë, të thotë mirupafshim…

The post Marotta e konfirmon: Mesazhi i ashpër i Lautaros i drejtohej Calhanoglu appeared first on Telesport.