Marco van Basten ndërpret punën në TV, do të qëndrojë pranë bashkëshortes së sëmurë

Marco van Basten do të largohet përkohësisht nga puna si komentator në “Ziggo Sport” për të qenë pranë bashkëshortes së tij, Lisbeth. Ish-kampioni i Milanit ishte një figurë e përhershme e “talk show” javor, ku analizonte ndeshjet më të rëndësishme të Champions League, Serie A dhe La Liga.

Televizioni publikoi të plotë njoftimin zyrtar: “Marco van Basten nuk do të shfaqet më në ‘Ziggo Sport’ për muajt e ardhshëm. Bashkëshortja e tij, Liesbeth, është e sëmurë rëndë dhe në muajt në vijim do t’iu nënshtrohet trajtimeve intensive, pjesërisht parandaluese”.

Vetë Van Basten deklaroi: “Dua t’i përkushtohem plotësisht shërimit të Liesbeth në muajt e ardhshëm. Pa dyshim do të jetë një periudhë e vështirë, por jemi shumë besimplotë për një rezultat pozitiv”.

Drejtori i “Ziggo Sport”, Marcel Beerthuizen, shtoi: “Jemi thellësisht të tronditur nga ky lajm. Shprehim solidaritetin tonë me Liesbeth, Marco dhe familjet e tyre. Iu urojmë shumë forcë për periudhën që vjen”.

 

 

The post Marco van Basten ndërpret punën në TV, do të qëndrojë pranë bashkëshortes së sëmurë appeared first on Telesport.