Maratona e kurthit dhe kurdisjes

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Për moralin dhe gjuhën seksiste: E pritshme që dështoi edhe raundi i 25 i një dueli të kurdisur ende pa u mbajtur zgjedhjet. Deputeti me betim si dhe KM pa mandat, Albin Kurthi pati kërkuar 500.000 zemra për ta përfunduar kapjen 100 për qind duke e lënë prapa edhe Korenë e Veriut. Nuk ia doli por, me nja 100 mijë stenta mund ta arrijë këtë numër. Skenarin bllokues e kishte bërë gati më herët duke ia caktuar rolin e marionetës deputetit më të moshuar në Kuvend. Ky deputet, në kundërshtim edhe të çdo dinjiteti minimal me besnikëri nënshtruese me asgjë nuk po e kundërshton rolin e marionetës. Deri në rrethin e 8 të Ferrit të Dante Aligerit. Pse ky deputet po sillet si marionetë, nuk është aspak e habitshme, është në shërbim të partisë dhe Liderit Suprem por nuk e kuptoj pse deputetja më e re në moshë e që ka rastisë të jetë nga radhët e PDK-së po pranon të bëhet marionetë e marionetës numër 1 – për faktin se, ndonëse sipas Rregullores së Kuvendit është e barabartë me kryesuesin, ajo nuk pyetet për asgjë. Ajo, në këto rrethana nuk e ka vendin afër marionetës numër 1 – por në mesin e deputetëve të partisë që i takon. Pra, marioneta numër 1 – po e përfundon misionin e paracaktuar dhe në skenë, ende pa u promovuar në postin e paracaktuar nga Lideri Suprem, deputeti me betim dhe KM pa mandat, Albin Kurthi, gjithashtu me qëllim bllokues në kohën e duhur, marioneta numër 2 – Lenka Haxhiu. Ndonëse po refuzohet nga opozita, marioneta numër 2 – është këmbëngulëse ta luaj rolin që i është caktuar nga partia dhe Lideri Suprem. Opozita e tashme ishte në lajthitje logjike kur mendonte dhe besonte se partia fituese dhe Albin Kurthi do të kalojnë në opozitë duke e dorëzuar pushtetin pasi nuk po e kalojnë Rubikonin e Kuvendit. Kam qenë dhe jam i sigurt se këta kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk e dorëzojnë pushtetin, qoftë edhe duke shkaktuar viktima fizike. Ambientin social e kanë helmuar me urrejtje të paparë deri më tani. Loja dhe qëllimi i pozitës ishte dhe është që opozita të fajësohet për bllokim të themelimit të Kuvendit. Kanë angazhuar një makineri të tërë, që nga RTK-ja apo Radio Televizioni i Kurthit, disa “opinionistë” nga shoqëria civile, pasardhës politikë të Arkanit, asi që lexojnë gazeta të huaja, Sputnikun dhe ato të Beogradit, në me krye prof. dr. Ramçen, një analfabet politik, patriot i tredhur dhe llaskuc ekzemplar i pushtetit. Realisht, as në Kosovë dhe në asnjë vend të botës opozita nuk ka asnjë detyrim t’i bëjë votat pozitës, në Kosovë më së paku nëse kemi parasysh trajtimin sadist që pozita i ka bërë opozitës. Ftesën që LV-ja i ka bërë LDK-së për koalicion mund ta konsiderojmë dhe është si “puthja e Judës” që Juda i ka bërë Krishtit, me bekimin e Pont Pilatit para se t’ua dorëzojë legjioneve romake. Më gjeni një detyrim ligjor që do të kërkonte që opozita të bëjë vota për pozitën! Nuk e gjeni sepse nuk ka. Sa i përket detyrimit moral, opozita ka edhe më shumë arsye të mos ua bëjë votat për faktin se pozita moralin nuk e njeh as si kategori gjuhësore e as si psikologjike. Kur flasin për moral shkaku se nuk ua bëjnë votat disa deputetë të opozitës është aq në kundërshtim me moralin që as nuk ia vlen të diskutohet. Në anën tjetër për politikanë që shohin dy gishta larg hundës së Dimalit, e që në opozitën aktuale qartazi nuk ka të tillë, strategjikisht shumë do të fitonin nëse që në seancën e parë do ta votonin themelimin e Kuvendit dhe qeverinë Kurthi 3. Po të isha unë lider i partive opozitare, me vetëdije të plotë do t’i siguroja votat e nevojshme pastaj, nga opozita do të organizojë aktivitet të fuqishëm opozitar, duke i përdorur të gjitha mënyrat që janë në dispozicion. Edhe pas këtij votimi eventual, pozita do të mbetej pakicë, do të varej nga votat e opozitës. Politikanët e mirëfilltë kështu e luajnë lojën, politikanët që e kanë interesin e çastit po e luajnë lojën që po luhet tani. Përrallat e marionetës numër 2, ende në përpjekje se është paqësore, se ka shërbyer për interes të shtetit (cilit shtet), dhe se ndaj saj është përdorur gjuhë seksiste janë prapashtesë e Liderit Suprem që e quan opozitën patriarkale dhe primitive shkaku se seksi dhe seksualiteti qenkan pengesë për moskonstituim të institucioneve. Po ta thoshte këtë Komandant Pasuli, tashmë i licencuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht si rrenc patologjik, do të arsyetohej disi. Por kjo nuk iu lejohet Albin Kurthit dhe plejadës së intelektualëve analfabetë si, Akademik Bahtirit, mësje Nezir Krakovinës, Limoza el Gadafi – Radoiçiq, Hajnrullah Çekos, Faton si Pecit, Donikë Katran Shvarcit, Haxhi Qamilit, narkomanëve të Prizrenit dhe “vlerave” tjera rrush të thartë të pushtetit. Po ta votonte opozita themelimin e Kuvendit dhe qeverinë Kurthi 3, Kurthi do të kapej në kurthat që vet i ka ngritur për të tjerët ndërsa opozita, duke qëndruar anash çdo ditë do të shënonte nga penalltia që ia mundëson pushteti. Po opozita nuk po sheh as një milimetër larg nga hunda e Dimalit e lëre më dy gishta.

Nisma e bukur, Nisma e ndershme dhe Nisma patriotike: Fatmir Limaj, Komandant Bojleri sipas pozitës apo Komandant Çeliku si njihej deri sot, është bërë fytyra më e përfolur, më e lakuar, më e pëlqyer dhe më patriotike e pozitës aktuale……deri ta votojë Lenka Haxhiun. Pastaj, e kalova lumin, ta asisha Nisma-n. Fatmir Limaj tha se e kishte një premtim gojor (paradoksalisht, gojoret edhe të disponojnë, edhe të dëshpërojnë) nga Kurthi për postin e kryetarit të Kuvendit, pa një marrëveshje të nënshkruar. Po duket se ndodhi një gabim sepse emri Fatmir Limaj u bë Lenka Haxhiu. Limaj është driblues si Messi në mikrohapësirat ku ai fiton. Edhe këtu, deri më tani shumë mirë po luan. Për pushtet Kurthi bën çdo gjë, pavarësisht çmimit që duhet ta paguajnë të tjerët. Albin Kurthi nuk i beson “Komandant Bojlerit” se mund të bëhet marionetë sipas standardeve të përcaktuara nga Kurthi prandaj është mosbesues. Te Lenka nuk e ka asnjë dyshim prandaj është për Lenkën. Albin Kurthi nuk i beson asnjë luftëtari të UÇK-së, madje as luftëtarëve legjendarë si Cen Mishi dhe Lali i Cvekllës. E lëre më Fatmir Limës. Ramiz Lladrovci është një parashikues i jashtëzakonshëm, ka paraparë saktë raportin e Limajt me AAK-në pas zgjedhjeve. Gjithashtu, Ramiz Nostradamusi ka paraparë se Limaj nuk do të jetë kryetar i Kuvendit por pjesë e qeverisë Kurthi 3. Kam mëdyshjet e mia. Ramizit po ia japë mundësinë e tretë, ose bëhet Nostradamusi nga Drenasi, ose bëhet si Spartak Ngjela që, deri më sot nuk i ka dalë asnjë parashikim i saktë avokatit patriot dhe idealist. Pyetje për Ramizin, a do të bëhet Albin Kurthi kryetar i ardhshëm i Banglladeshit pasi në popull qarkullon një thënie se: “U bë Kosova Banglladesh ..”.

Mendoj se nëse Nisma pranon të bëhet pjesë e qeverisë, iku për lesh. Nëse Fatmir Limaj bëhet kryetar i Kuvendi, është tregim tjetër. Mirëpo Kurthi nuk i beson Fatmirit, këtu qëndron problemi. As në variantin më të shëmtuar Fatmir Limaj nuk mund të bëhet si marioneta numër 1 dhe marioneta potenciale numër 2. E shohim.