VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i duken të vendosur vëllazërisht për t’i dhënë fund qeverisjes 12-vjeçare shqiptare në Kërçovë. Me narracion pothuajse të njëjtë pak ditë para balotazhit, kjo aleancë maqedono-shqiptare po e sheston një skenar ku kandidati maqedon, Aleksandar Jovanovski, do t’i ndukte deri në 14 mijë vota. Kjo mund të jetë e mundur vetëm duke supozuar pjesëzimin e votave shqiptare, kalimin e një pjese të tyre për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, si dhe duke i bërë për vete minoritarët romë e turq. Nga e marta, kryeministri Mickoski ka zbarkuar me makinerinë e partisë së tij për këtë qëllim – simbolika e Kërçovës, në sytë e publikut maqedon, duket e madhe pasi që e asociojnë si kështjellë të BDI-së dhe vendlindje të Ali Ahmetit. Në këto rrethana, fatin e Kërçovës e kanë në dorë mërgimtarët në Zvicër, Gjermani e Itali – mobilizimi i tyre, siç ndodhi në rastin e Çashkës, mund t’i mbajë gjallë gjasat për një fitore shqiptare.
Col MEHMETI
29 tetor 2025 – Zaret janë hedhur për rrethin e dytë të votimeve për kryetarin e komunës së Kërçovës.
Përballja në balotazhin e së dielës mes Fatmir Deharit të koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” dhe Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së e partive aleate e gjen Kërçovën në orët e saj më dramatike.
Mobilizimi i sforcuar nga partia maqedonase, bashkë me komunitetet pakicë, mund t’i japë fund qeverisjes shqiptare.
Zjarrmia nacionaliste është shpërpushur edhe nga vizita kastile e kryeministrit Mickoski në qytetin në perëndim të vendit.
Mickoski e VMRO-DPMNE-ja zbarkojnë në Kërçovë
Përballja më shumë sesa zgjedhore ka kaluar në një rrafsh simbolik: Zajazi e Kërçova, në diskursin maqedonas, janë fjalë të ndërkëmbyeshme për Ali Ahmetin dhe BDI-në.
‘Selamet’ e kreut të VMRO-DPMNE-së nuk ishin bash të injorueshme.
“Mendoj se do të shkojmë mbi 13 mijë vota, ndoshta edhe 14 mijë”, tha shkurt ai përderisa ishte i shoqëruar nga një numër i madh truprojesh.
Në një miting të mbajtur po dje, Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjija Sajkoski, ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë kur maqedonasit, madje edhe ata jashtë vendit, duhet të mbështesin masivisht kandidaturën e Jovanovskit.
“Dera jonë është e hapur gjithmonë për ju, prandaj ju duhet të vini në Kërçovë e të votoni numrin 9, për Aleksandar Jovanovskin”, ka thënë mes të tjerash njeriu i dytë në partinë më të madhe maqedone.
Armëzimi i pakicave turke e rome
Projeksionet e tilla, si ai i Mickoskit për 14 mija vota, kanë kuptim vetëm nëse kandidati maqedonas mban uzdajë në votat shqiptare.
Thënë më shkoqur, pritshmëritë vëmëroiste janë në demobilizimin e konstituencës zgjedhore shqiptare, që në rrethin e parë të votimeve votoi për kandidatin nga radhët e koalicionit VLEN, Farmir Limani.
Se përballja e së dielës është në fije të perit, kjo kuptohet sapo ndërmenden realitetet e reja demografike në Kërçovë dhe peshën e migrimit të vazhdueshëm.
Në janar dhe maj, NACIONALE e pati parashikuar saktësisht një skenar të tillë si ky që ngjan tani.
Argumentet ishin me sa vijon: cenzusi i 2021-s nxori një tablo krejt tjetërfare për strukturën etnike të komunës.
Në terma të banorëve rezidentë, shqiptarë e maqedonë tani janë si barabar për nga numrat.
Në këso rrethana, votat nga komunitetet pakicë mund të jenë vendimtare më shumë se herave të tjera.
Mërgata kërçovare – shpresa e vetme
Anipse Kërçova vuan peshën e antagonizmave të thella – mes koalicionit VLEN dhe BDI-së – aktivistë kërçovarë në Perëndim i janë përveshur punës që komuna të mbetet e drejtuar nga një shqiptar.
Në zgjedhjet e 2013-s, por edhe ato që u mbajtën konsekutivisht më 2017 dhe 2021, diaspora shqiptare e luajti rolin vendimtar, deus ex machina, për fitoren e kryetarit, Fatmir Dehari.
Krejtësisht në baza vullnetare, mërgimtarë shqiptarë kanë nisur organizimin për betejën e 2 nëntorit.
Nëntë shoqata kërçovare nga Zvicra janë mobilizuar që të votojnë në balotazhin e së dielës për kandidatin shqiptar.
Nga deklarimet e gjertanishme, nga Zvicra tashmë janë konfirmuar 2,500 votues kërçovarë, nga Gjermania mbi 1 mijë e nga Italia rreth 500.
Ah, sikur të ishin bashkuar në fillim
Në rrethin e parë të votimeve, kandidati i koalicionit VLEN, Fatmir Limani, mori 4,164 vota kundrejt Fatmir Deharit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Fatmir Dehari, që mori 5,586 vota, dhe Shkodran Alilit, si kandidat i pavarur, që mori 4,006 vota.
Në një skenar ku do të ishte kandiduar konsensualisht një kandidat i vetëm shqiptar, ai me siguri do t’ia kishte dalë mbanë garës – votat shqiptare, të mbledhura së bashku, do të ishin më të shumta se 11,682 votat e Aleksandar Jovanovskit.
Në të vërtetë, dalja e kandidatit të VLEN-it, me qëllimin e parë dhe të fundit rivalizimin e kandidatit të BDI-së, e pështjelloi punën.
Ajo rezultoi me fragmentarizim fatal të trupës zgjedhore shqiptare.
VLEN-i me hundë përpjetë: “Duam etikë e jo etni”
Megjithëse para pesë muajsh, zyrtarë të VLEN-it shpreheshin se gara në Kërçovë nuk duhej të partizohej – ata, pak para zgjedhjeve, vendosën që ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ta rrasnin në garë zgjedhore.
Kur ai doli larg më poshtë se Dehari dhe vetëm pak më shumë se Alili i pavarur, përfaqësuesit e koalicionit në fjalë nuk kanë dhënë asfarë shenje se do ta mbështesin kandidatin shqiptar në balotazh.
Në këto vija lexohet edhe reagimi i sotëm i Fatmir Limanit, sipas të cilit kërçovarët duhet të votojnë për “ruajtjen e vlerave familjare dhe komnbëtare”.
Në këtë hulli ishte edhe një afishim i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, që ka bërë me dije se mbështetësit e VLEN-it në Kërçovë nuk duhet ta kenë të rëndësishme përkatësinë etnike të kandidatit.
“Përkatësia etike është me e rëndësishme se përkatësia etnike”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
Si vëng për retorikën e njejtë zgjedhore mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it ka shërbyer publikimi i disa përgjimeve të pretenduara
të kryetarit aktual të Kërçovës, në të cilin dëgjoheshin fjalë me përmbajtje ofenduese.

Demografia mes boshatisjes dhe ndryshimit të strukturës etnike
Ndryshe nga viti 2013 kur shqiptarët, sebep bashkimit të komunës, gëzonin komoditetin e një shumice relative prej 54.51 për qind, një dekadë e ca më vonë numrat duket të kenë ndryshuar.
Popullata shqiptare është përgjysmuar nga sa ishte më 2013.
Së paku, nga regjistrimi i vitit 2021, numri rezident i shqiptarëve është 16,373 ose 41.26 përqind, duke shënuar një përgjysmim për njëzet vjet.
Në anën tjetër, numri i maqedonasve nuk ka pësuar rënie të konsiderueshme në përqindje, meqë sipas statistikave të 2021-s si maqedonas janë deklaruar 16,020 vetë ose 40.38 përqind.
Kjo ka bërë që shqiptarë e maqedonë të jenë thuajse në nivele të barabarta anipse norma e shtimit tek ta ka qenë e ulët.
Në këso aritmetika, vetëm një mobilizim i kërçovarëve nga diaspora mund t’i mbajë gjallë shpresat për një fitore shqiptare.

Një histori garash e balotazhesh ndëretnike
Komuna në zemër të Maqedonisë Perëndimore udhëhiqet që prej vitit 2013 prej shqiptarëve, gjë që ishte mundësuar falë ligjit për ndarje territoriale ku Kërçovës i ishin bashkuar komunat rurale të Zajazit, Osllomesë, Drugovës dhe Vraneshticës.
Pas ribashkimit të Kërçovës në kufijtë e vet administrativë, kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari është zgjedhur për tre mandate radhazi si kryetar i komunës.
Në dy palë zgjedhjet e kaluara, dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, ishin bashkuar mes vete duke u rreshtuar pas një kandidati të përbashkët.
Bashkimi i partive maqedone në Kërçovë e pati sfiduar seriozisht Deharin dhe BDI-në në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021.
Kështu, në rrethin e parë të zgjedhjeve kandidati i VMRO-së, Aleksandër Jovanovski pati marrë 8,801 vota, kurse Fatmir Dehari 8,545 vota.
Vetëm me pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora, kandidati i BDI-së ia doli mbanë garës zgjedhore duke i marrë 12,935 vota, ose 2,017 vota më shumë sesa rivali i tij maqedonas.
Prej vitit të kaluar kur VMRO-DPMNE u rikthye në pushtet, kurse BDI kaloi në opozitë, ka pasur plot incidente e përplasje ndëretnike.
I tillë kishte qenë edhe skandali në shtator të vitit të kaluar ku ishte fshirë gjuha shqipe në të gjitha tabelat dygjuhëshe në autostradën që lidh Kërçovën me Ohrin.










