Maqedonci: Deklaratat e Gashiq janë në frymën e Vuçiqit dhe Millosheviqit, Serbia mbetet kër*cënimi kryesor për paqen në rajon

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Gashiq, i cili akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës se po “sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik”, transmeton KosovaPost.

Sipas Maqedoncit, këto deklarata janë vazhdimësi e retorikës destabilizuese të presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe pasqyrojnë ideologjinë e ish-udhëheqësit kriminal Sllobodan Millosheviq.

“Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj”, ka shkruar MAqedonci në Facebook.

Maqedonci theksoi se këto veprime synojnë dobësimin e sovranitetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, por shtoi se këto sulme janë intensifikuar për shkak të sukseseve të qeverisë Kurti në forcimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit.

“Ndërkohë që në Serbi mbahen parada ushtarake për të frikësuar fqinjët, është kulmi i hipokrizisë të akuzosh Kosovën për veprime tërësisht të ligjshme brenda kufijve të saj,” theksoi ministri i Mbrojtjes.

Ai hodhi poshtë akuzat për diskriminim ndaj komuniteteve jo-shqiptare, duke theksuar se Qeveria Kurti gëzon mbështetje të gjerë nga komunitetet jo-shumicë, përfshirë edhe atë serb, si rezultat i politikave të drejtësisë dhe barazisë. Në kontrast me këtë, Maqedonci vuri në pah politikat përjashtuese të Serbisë ndaj komuniteteve jo-serbe, veçanërisht shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, Maqedonci propozoi dy masa thelbësore: de-hegjemonizimin e politikës serbe dhe dekriminalizimin e ushtrisë së Serbisë, e cila ende drejtohet nga figura të përfshira në krimet e luftërave të viteve ‘90. Ai përmendi edhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, Gjeneral Mojsiloviq, si një nga figurat kyçe të përfshira në operacionet ushtarake në Kosovë.

“Përderisa për Serbinë e Millosheviqit lufta ishte zgjedhje, për popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë ajo ishte detyrim për mbijetesë,” deklaroi Maqedonci.

Postimi i plotë:

The post Maqedonci: Deklaratat e Gashiq janë në frymën e Vuçiqit dhe Millosheviqit, Serbia mbetet kër*cënimi kryesor për paqen në rajon appeared first on Kosovapost.net.