Manovrat antikushtetuese të Vetëvendosjes: Kushtetuesja ‘ngrinë’ sërish Kuvendin për të “evituar dëme të pariparueshme”

Gjykata Kushtetuese, për të dytën herë brenda pak më shumë se një muaji, ka bllokuar çdo veprim të deputetëve të Kosovës për të “evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme” nga veprimet flagrante të Lëvizjes Vetëvendosje, në shkelje të Kushtetutës.

Devijimi i qëllimshëm dhe i kalkuluar i seancave konstitutive nga praktikat e mëparshme parlamentare shkaktoi bllokadë disa mujore të Kuvendit të Kosovës, duke penguar kështu konstituimin e tij, dorëzimin e mandatarit nga Presidentja dhe rrjedhën e afateve ligjore për formimin e Qeverisë së re.

Më 7 gusht, Kushtetuesja ua krisalizoi Vetëvendosjes veprimet antikushtetuese të kryesuesit Avni Dehari: seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik u shpallën të pavlefshme; u konstatua se kryesuesi i seancës konstitutive kishte vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit; dhe procesi duhej rikthyer në binarët kushtetues.

Gjykata urdhëroi vijimin e rendit të ditës me pikën 3 – propozimin e kandidatit të grupit më të madh parlamentar – përmes votimit të hapur dhe jo më shumë se tri tentativa për të njëjtin kandidat. Të gjithë deputetët u obliguan të marrin pjesë dhe të votojnë; si dhe u caktua afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Aktgjykimi i Kushtetueses hapi rrugën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ku, pas disa tentativave, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit më në fund siguroi gjënë elementare në demokraci që u mungonte për muaj të tërë; votat për Dimal Bashën, i cili u zgjodh kryetar i Kuvendit më 26 gusht.

Pas kësaj, u krijua përshtypja se Kuvendi do të finalizonte konstituimin, por Vetëvendosje, ndonëse ndryshoi personin në krye të institucionit, vijoi me të njëjtën praktikë. Basha, pa u zgjedhur ende një nënkryetar nga komuniteti serb, e konsideroi çështjen e seancës konstitutive të mbyllur.

“Moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të përdoret si pengesë për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Për mënyrën e vijimit të punës, do të konsultohem me Kryesinë e Kuvendit ditën e hënë”, deklaroi Basha, përpara se të shpallte mbylljen e seancës.

Pas shpalljes se seancës të konstituuar, Lista Serbe dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës kontestoi mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Në këtë parashtresë, subjekti politik serb kërkon që votimi të kthehet në pikën fillestare dhe të zhvillohet si një proces i unifikuar, pra në formë “pakete”, në përputhje me praktikat e mëhershme parlamentare.

Kjo parti kërkoi vendosjen e një mase të përkohshme nga Kushtetuesja, me arsyetimin se rrezikohet rrjedhja e afateve ligjore për formimin e qeverisë së re.

Në lidhje me kërkesën, Gjykata lëshoi dje një vendim ku vlerësoi se pezullimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe çdo procedurë të mëtejme drejt formimit të Qeverisë, është masë e domosdoshme për të “evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme” që lidhen drejtpërdrejt me themelimin e institucioneve të shtetit dhe me nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Si rrjedhojë, Kushtetuesja vuri një masë të përkohshme: ndalimin e çdo veprimi të deputetëve të Kuvendit dhe të çdo procedure për formimin e Qeverisë, me efekt nga data 5 shtator 2025 deri më 30 shtator 2025.