Manipulimi me vota, Sejdiu: Ndërmarrje e organizuar për ta devijuar vullnetin e qytetarit

Opinionisti Dardan Sejdiu ka deklaruar se manipulimi i votave nuk mund të ndodhë pa bashkëpjesëmarrje, duke e cilësuar atë si një proces të organizuar me synim devijimin e vullnetit të qytetarëve.

Sejdiu tha se manipulimi zgjedhor nuk është veprim i izoluar, por rezultat i një ndërmarrjeje të koordinuar.

“Është e pamundur të ndodhë pa bashkëpjesëmarrje, pra kjo është një ndërmarrje e organizuar e të gjithëve, për ta devijuar vullnetin e qytetarit,” u shpreh ai.

Sipas Sejdiut, motivi kryesor i këtyre veprimeve lidhet me ruajtjen e një elite politike ekzistuese, e cila, sipas tij, funksionon si mekanizëm vetë-mirëmbajtjeje.

“Mendoj që motivi është i thjeshtë, në sytë e mi, është mirëmbajtja e një elite politike. Është njëfarë mekanizmi vetë-mirëmbajtjeje, i cili tashmë prej shumë kohësh nuk jeton dhe nuk krijon hapësirën për këdo që dëshiron të bëjë një kapërcim në politikë,” tha Sejdiu në Klan Kosova.