Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nëpërmjet publikimeve në Facebook, duke shkruar për premtimin e kësaj partie për rritje të shtesave për fëmijë, kanë kryer përllogaritje duke marrë për bazë shifrën prej 90 euro në muaj, raporton Hibrid.info.
Hekuran Murati e Fitore Pacolli nga kjo parti kanë publikuar shkrime nëpërmjet të cilave kanë lënë të kuptohet se premtimi është përgjithësues, sikur çdo fëmijë në Kosovë do të merrte nga 90 euro në muaj.
Por, e vërteta është se 90-euroshi është premtim i kësaj partie vetëm për një pjesë të fëmijëve nën 16 vjeç dhe jo për të gjithë. Bëhet fjalë vetëm për familjet me tre e më shumë fëmijë. Pjesa tjetër e fëmijëve, te familjet që kanë nga 1 ose 2 fëmijë, sipas premtimit, do të merrnin nga 60 euro në muaj.
Si u dha ky premtim dhe si u transmetua nga anëtarët e Vetëvendosjes?
Më 16 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim për të prezantuar “planprogramin për mandatin e ardhshëm qeverisës”. Kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, aty ka premtuar dyfishimin e shtesave për fëmijët dhe jo se të gjitha shtesat do të bëhen nga 90 euro në muaj.
Deklarata e shkëputur e Kurtit (minuta 25:00):
“Shtesat për fëmijë i kemi gjetur zero euro, që do të thotë se nuk i kemi gjetur fare. Sot janë 30 deri 45 euro për çdo fëmijë, ndërkaq në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë shtesat për fëmijë. Pra në mandatin e tanishëm nga 0 në 45 euro dhe në mandatin e ardhshëm nga 45 në 90 euro për fëmijë. E të dashur qytetarë me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë. Edhe për nënat lehona kemi vepruar me përkushtim. Fillimisht i nisëm shtesat me 170 euro në muaj, pastaj i rritëm në 325.9 euro sivjet ndërkaq në fillim të mandatit të ardhshëm do t’i bëjmë e 500 euro në muaj për gjashtë muaj sepse aq do të bëhet edhe paga minimale në vendin tonë. Pra 6 muaj nga 500 euro bëjnë 3000 euro për secilën nënë lehonë të papunë përveç shtesave mujore për fëmijët që jepen në emër të nënës, përkatësisht në xhirollogarinë e nënës”.
Fjalën “dyfishim” si premtim të shtesave për fëmijë, Lëvizja Vetëvendosje e ka përdorur edhe në një postim tjetër. (shih këtu)
Hibrid.info ka verifikuar faktet për deklaratat e Kurtit sa u përket vendimeve të ndërmarra në mandatin e tij si kryeministër paraprakisht. Në shtator të 2021-tës qe hapur për herë të parë mundësia për të aplikuar për të përfituar për shtesat për fëmijë. Nga ajo kohë, vendimi ka pësuar ndryshime. Më 31 tetor sivjet, qeveria në detyrë e udhëhequr nga Kurti vendosi për rritje prej 50 për qind të vlerës së shtesave, që deri atë kohë ishin 20 euro për fëmijët e familjeve me 1 ose 2 fëmijë dhe 30 euro për familjet me të paktën tre fëmijë. (Shih njoftimin e Ministrisë së Financave dhe atë të VV-së). Pra me këtë vendim prej nëntorit 2025 shtesat mujore për fëmijë u rritën nga 20 euro në 30 për fëmijë për ato familje që kanë 1 ose 2 fëmijë dhe nga 30 sa ishte në 45 për secilin fëmijë të familjeve me 3 ose më shumë fëmijë. (Udhëzuesi rreth zbatimit i cili dëshmon se para vendimit, shtesat mujore kanë qenë 20 dhe 30 euro për fëmijët)
Faktet janë këto:
- Shtesat mujore aktualisht janë 30 euro për fëmijë për familjet me 1 ose 2 fëmijë dhe 45 euro për secilin fëmijë të familjes me nga 3 ose më shumë fëmijë.
- Premtimi i Kurtit është për dyfishim të vlerës së shtesave – pra nga 30 në 60 euro për fëmijët e familjeve me 1 ose 2 fëmijë dhe nga 45 në 90 euro për secilin fëmijë të familjes me nga 3 ose më shumë fëmijë.
- Dyfishimi i vlerës së shtesave është përmendur si premtim edhe në një video tjetër të Vetëvendosjes.
Si u manipulua me këtë premtim?
Përderisa shtesa prej 90 eurosh në muaj është premtuar për secilin fëmijë të familjes me 3 ose më shumë fëmijë dhe jo për familjet me 1 ose 2 fëmijë, kjo nga zyrtarë të Vetëvendosjes nuk është treguar plotësisht dhe në Facebook është paraqitur sikur çdo fëmijë do të marrë nga 90 euro në muaj.
Hekuran Murati, kandidat i LVV-së për deputet dhe që në qeverinë e shkuar ishte ministër i Financave, në një shkrim në Facebook më 17 dhjetor, ka thënë se për “secilin fëmijë, shteti do t’i japë mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare”.

Por kjo llogaritje nuk qëndron. Murati bën llogaritje vetëm me rastet maksimale të shtesave (ato të familjeve me 3 ose më shumë fëmijë) e në fund të llogaritjes shkruan jo saktë se shteti “për secilin fëmijë” jep mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare.
Shuma prej mbi 20 mijë eurosh, duke përfshirë 3000 eurot e premtuara për nënat lehona të papuna, do të mund të mbërrihej vetëm nga fëmijët e familjeve me nga tre e më shumë fëmijë dhe jo prej fëmijëve të familjeve që kanë nga 1 ose 2 fëmijë.
Me llogaritjen e dyfishimit të premtuar, nëse një fëmijë merr nga 60 euro në muaj për 16 vjet, plus 3000 eurot e premtuara për nënën gjatë lehonisë, shuma totale do të ishte 14,520 euro dhe jo mbi 20 mijë, siç ka pretenduar Murati.
Përllogaritje të tillë ka bërë edhe kandidatja për deputete nga radhët e LVV-së, Fitore Pacolli. Edhe ajo në Facebook ka kryer llogaritje vetëm me rastet e fëmijëve që do të merrnin nga 90 euro, e në fund të përllogaritjes ka thënë se kjo vlen për “çdo nënë”.

Por në fakt, jo çdo nënë do t’i merrte 4080 euro në gjashtë muajt e parë të lindjes. Pra kjo vlen vetëm te familjet që kanë 3 e më shumë fëmijë.
Nëse nga 30 euro shtesat që janë për fëmijët e familjeve me 1 ose 2 fëmijë do të bëheshin 90 euro, kjo nënkupton trefishim dhe jo dyfishim.
Shpërndarja
Siç pati shkruar Kurti në Facebook më 24 nëntor, nga rritja e shtesave përfitojë 400 mijë fëmijë. Kjo nënkupton se premtimi për dyfishim të shtesave të fëmijëve prek një përqindje të konsideruar të popullsisë.
Publikimi i Muratit i ka marrë më shumë se 6 mijë pëlqime, mbi 260 komente dhe afro 200 shpërndarje, ndërkaq publikimi i Pacollit ka marrë mbi 250 pëlqime.
Mediat reale në shumicën e rasteve të publikimeve mbi deklaratën e Muratit kanë raportuar për premtimin për lehonat. Megjithatë, ka pasur publikime me titull “Murati: Shtesat për fëmijë do të bëhet 90 euro” nga epokaere.com, duke lënë të kuptohet se premtimi është që shtesat mujore të jenë 90 euro për të gjithë fëmijët dhe jo siç ka premtuar Kurti në tubimin elektoral. Ngjashëm kishte bërë publikim edhe “kosovapost.net”.
Se “çdo fëmijë” do t’i marrë nga 90 euro në muaj deri në moshën 16-vjeçare, publikime kanë bërë edhe disa faqe në Facebook, që kanë shpërndarë një imazh të Kurtit dhe të disa fëmijëve. Publikimet e “Prishtina ime” dhe “Kosova Report” kanë marrë mijëra pëlqime e qindra komente dhe dhjetëra shpërndarje.
Përfundimi
Pra publikuesit e këtyre pretendimeve në shkrimet e tyre kanë zgjedhur vlerën më të lartë të mundshme për të tërhequr audiencën, i kanë paraqitur shifrat si norma të përgjithshme dhe nuk kanë sqaruar se bëhet fjalë për vetëm një nëngrup shoqëror dhe jo të tërësisë së tij. /Hibrid.info
Shkrimi i Hibrid.info













