Manifestimet për “Vidovdan”, Policia shoqëron 17 persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet për “Vidovdan”, të mbajtura më 28 qershor në disa pjesë të vendit, janë menaxhuar me sukses dhe kanë kaluar pa incidente madhore, transmeton KosovaPost.

Sipas komunikatës zyrtare të Policisë, masat operative dhe organizative janë ndërmarrë me kohë, përfshirë ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor, si dhe kontrollin e pikave kufitare. Në të gjitha rajonet policore është vepruar në mënyrë të koordinuar dhe profesionale, çka ka ndihmuar që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë.

Përjashtim bëjnë disa raste të izoluara, ku policia ka shoqëruar 17 persona në stacione policore për intervistim. Të njëjtit dyshohet se kanë provokuar masën përmes gjuhës nxitëse dhe veshjeve me përmbajtje provokuese, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Nga të shoqëruarit:

Një person është ndaluar mbi dyshimin për armëmbajtje pa leje,
Një person ka pranuar fletëparaqitje për kundërvajtje,
Katër persona janë liruar,
Ndërsa 11 të tjerë janë ende në procedurë intervistimi.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë manifestimeve dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për të garantuar rendin, ligjin dhe sigurinë publike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

The post Manifestimet për “Vidovdan”, Policia shoqëron 17 persona appeared first on Kosovapost.net.