​Mandl: Qeveria duhet të ketë agjendë të qartë për dialogun

Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.

“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare. Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.

Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Mandl pret nga institucionet vendore që të ndërmerren reforma në Kosovë.

“Mund të them vetëm se çdo qeveri do të duhet të ndërtojë ura kudo në botë dhe do të duhet të ndërmarrë reforma brenda vendit për të mirën e përbashkët, për të mirën e popullit. Gjithashtu, mendoj se në çdo parti politike në Kosovë ka njerëz të besueshëm dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deputetë të sapo-zgjedhur që janë të besueshëm dhe të aftë dhe ata do të gjejnë zgjidhje të shkëlqyera për të ardhmen. Ky është besimi im në këtë shtet të ri të Evropës dhe në popullin e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl është optimist se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të angazhohet për dialog pozitiv mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se Komisioni i ri për Marrëdhënie të Jashtme dhe përfaqësuesja e Lartë për Marrëdhënie të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka ndërmarrë hapa shumë pozitiv drejt një dialogu më të mirë. Ajo e merr shumë seriozisht këtë çështje. E kuptoj që ajo kupton se ka një fushë të barabartë, nuk është një shtet më i rëndësishëm se tjetri. Diçka që mund të keni përshtypjen se ka qenë rasti për ish-përfaqësuesit e BE-së që ishin aktivë këtu në rajon, veçanërisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, kam shpresë që Komisioni i ri Evropian do të jetë më i mirë në menaxhimin e këtij dialogu dhe ata mund të inkurajojnë çdo palë, palën kosovare dhe palën serbe, që të angazhohen vërtet në një dialog pozitiv për mirëqenien e qytetarëve të tyre, për të ardhmen e qytetarëve të tyre në Bashkimin Evropian. Kjo duhet të jetë e ardhmja për secilin në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu për Kosovën dhe Serbinë. Dhe për këtë arsye, përfaqësuesit politikë të të dyja vendeve duhet të bëjnë një dialog të duhur dhe të ndërmarrin një dialog të duhur me një ritëm më të shpejtë”, shprehet Mandl për KosovaPress.

Optimist është edhe për heqjen e masave të Bashkimit Evropian kundër Kosovës të vendosura në qershor të vitit 2023.

“Që nga fillimi kam qenë kundër këtyre masave, kundër Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës. Kam parasysh gjithë situatën, duke pasur parasysh formën e Republikës së Kosovës, vuajtjet e popullit në të kaluarën, procesin i gjatë i integrimit evropian që duket se është ngujuar herë pas here, është pa kuptim në mendimin tim të vendosen masa kundër Republikës së Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë parlamentarisht jam kundër, por mendoj se gjithnjë e më shumë në Komisionin Evropian dhe veçanërisht në Parlamentin Evropian janë shumë më në favor të heqjes së këtyre sanksioneve, këtyre masave”, përfundon ai./kp/