Vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re ka nxitur një valë reagimesh të ashpra nga partitë ish-opozitare, të cilat e kanë cilësuar këtë hap si politikisht të motivuar dhe pa mbështetje reale parlamentare.
Në konferencën e sotme, Osmani pretendoi se veprimi i saj është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Një deklaratë që ngjalli reagime nga Osmani në krejt argumentin e saj ishte se, gjatë takimit me Vetëvendojen, ajo është bindur se ata kanë votat e nevojshme.
“VV dhe Glauk Konjufca që sapo përfundova takimin me ta kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat, mua më takon që të bindem që kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e pa si të pakuptimtë një deklaratë të tillë. Në një reagim pas vendimit, Hoti tha se Presidentja e ka arsyetuar mandatimin duke u mbështetur në “gjasa” për krijimin e qeverisë, por sipas tij, nga konsultimet që vetë Osmani ka zhvilluar me liderët e partive politike, është bërë e qartë se ato “gjasa” nuk ekzistojnë.
“E para e shtetit vendimin për mandatarin e ka bazuar në ‘gjasa’. Por, nga takimet me kryetarët e partive politike e ka marrë përgjigjen se nuk ka ‘gjasa’ që deputetët e atyre partive të votojnë asnjë mandatar tjetër.” – tha ai.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për të arritur shumicën do të ishte nëse llogariten votat e Listës Serbe. “Kështu që, gjasat mund të ekzistojnë vetëm nëse llogaritet në votat e deputetëve të Listës Serbe. Gjasa të tjera nuk ka.” – shkroi deputeti Hoti.
Për nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, me vendimin për mandatimin e Konjufcës, Osmani është bërë pjesë e planeve politike të Albin Kurtit. Ai tha se mandatimi i Konjufcës është një përsëritje e situatës me Kurtin – një mandatar pa numra.
“Duket se është në vijë me zotin Kurti dhe vet fakti që pasi e dominoi Galukun ajo i ftoi kryetarët e partive opozitare, kjo le me dyshu se nuk ka ndonjë ndryshim qëndrimi. Në takimin me presidenten të gjithë këna thënë se nuk do të jenë pjesë e ekzekutivit të ri dhe nuk kam pa ndonjë ndryshim. Nëse zoti Kurti nuk i kishte numrat i bie që edhe situata me Glauk Konjufcën është e njëjtë”, tha Haradinaj.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e vuri në pikëpyetje bazën e “bindjes” së pretenduar nga Osmani, duke kërkuar sqarime nëse ekziston ndonjë marrëveshje politike ose mbështetje konkrete nga 61 deputetë.
“Me çfarë të kanë bindur e nderuar Presidente? A mos i kanë nënshkrimet e deputetëve që e përbëjnë 61-shin? A mos ka marrëveshje politike që e mundëson 61-shin? E bindur ndaj Kurtit keni qenë në vazhdimësi andaj edhe kjo sot nuk përbën befasi”, ka thënë Hoxha.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj nga ana tjetër, e quajti gjithë procesin një “lojë elektorale” të deputetit Albin Kurti.
“Ne nuk i votojmë, këto agjenda partiake, elektorale, s’kanë absolutisht asgjë në interes shtetëror, që dikush me pauzu, me shku me u kthy. Nuk bohet shteti kshtu, bre djem.” – tha Limaj në Rubikon.












