Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se presidentja Vjosa Osmani nuk duhet të rikandidojë për një mandat tjetër, pasi Kosova me përfaqësimin e saj nuk është përmirësuar pothuajse në asnjë fushë.
“A do të rikandidoj? Do të vendos në kohën e duhur. Sapo po marr një pushim, por shfaqen gazetarë që më sulmojnë dhe përpiqen të më bindin të mos ndalem dhe të vazhdoj”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani të enjten në një konferencë për media.
Gjatë mandatit të saj si presidente, Osmani është përballur me kritika nga partitë opozitare, analistë politikë dhe disa aktorë ndërkombëtarë për mënyrën se si ka ushtruar detyrën. Ajo është vënë në shënjestër për mungesë koordinimi me institucionet qeveritare, duke mos arritur shpesh të krijojë një bashkëpunim efektiv me Qeverinë në çështje kyçe, veçanërisht në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Osmani është kritikuar gjithashtu për mosmbrojtjen e interesave të Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe për mungesë guximi në mbrojtjen e institucioneve të pavarura të shtetit, përfshirë ato që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë.
Për këtë arsye, njohësit e çështjeve politike thonë për Albanian Post se nuk është i qartë mendimi i Osmanit për rikandidim për pozitën më të rëndësishme, përmes së cilës përfaqësohet vendi.
Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, pohon për Albanian Post se Osmani ka hyrë në skenën politike duke shfrytëzuar momentet vendimtare më shumë si rezultat i rrethanave sesa i një orientimi të qartë politik apo kontributi afatgjatë.
“Krijimi i një fraksioni politik në vitin 2021 dhe bashkimi me ish-opozitën u paraqit si një alternativë e re për ndryshim. Qytetarët këtë e besuan, por gjatë mandatit të saj ajo ishte e indiferent ndaj zhvillimeve të brendshme politike. Në diplomaci pati mjaft udhëtime, por jo që i sollën shumë përfitime vendit. Kritikët e kanë cilësuar si notere të Qeverisë, ndërsa vetë ajo ka tentuar të ndërtojë imazhin e një figure të besueshme për faktorin ndërkombëtar, në kontrast me partnerin e saj politik, Albin Kurti”.
Osmani pati mundësinë të ndërtojë një imazh tjetër, por kjo tashmë duket si një mundësi e humbur.
“Megjithëse kishte mundësi të ruante një qëndrim më të balancuar institucional, ose të ishte vërtetë gardiane e rendit kushtetues dhe unifikuese e qytetarisë, duket se ambiciet për pozita dhe privilegje shtetërore kanë ndikuar negativisht në performancën e saj”, sqaron Maloku.
Ai pohon se rikandidimi i Osmanit për këtë pozitë nuk është i mirëpritur.
“Edhe pse mund të ketë aspirata individuale për një mandat të dytë, realiteti politik në Kosovë nuk e favorizon një rikandidim formal për postin e presidentit, për shkak të natyrës së sistemit parlamentar dhe mungesës së mbështetjes politike të nevojshme. Në tërësi, performanca e saj mbeti nën pritjet që mund të kishte përmbushur, sidomos po të kishte treguar më shumë guxim dhe pavarësi institucionale”.
Në një linjë të ngjashme si Maloku shprehet edhe politologu Dritëro Arifi, duke thënë se Osmani nuk ka arritur gjatë mandatit të saj gati pesëvjeçar të jetë në mbrojtje të Republikës.
“Gjatë këtyre pesë viteve kemi pasur jashtëzakonisht shumë sfida, tensione me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe presidentja nuk ka arritur të jetë në nivelin e detyrës që i takon. Po ashtu, mosguximi i saj për të mbrojtur institucionet e pavarura, përfshirë lajmin për sanksionimin e rëndë nga SHBA-ja, e dëshmon se ajo nuk ka qenë e denjtë për të mbrojtur detyrën për të cilën është votuar nga përfaqësuesit e popullit”, deklaron Arifi për AP.
Nga këndvështrimi i tij, ideja e rikandidimit të saj nuk duhet trajtuar si mundësi reale.
“Rikandidimi i saj nuk do të duhej të konsiderohej seriozisht nga perceptimi i politikbërjes, sepse kemi dështuar si në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme. Nëse i ka mbetur pak dinjitet dhe integritet, ajo do të duhej të jepte dorëheqje, sepse sanksionimi nga SHBA-ja ndodhi gjatë kohës kur ajo ishte presidente, dhe jo vetëm mbi zotërin Kurti”.
Gjatë ditëve të fundit, Osmani, është përballur me kritika dhe akuza për sulme ndaj gazetarëve. Pas arrestimit të kameramanit Jetmir Muji të mërkurën, i cili po incizonte një material pranë shkollës ku ndodheshin vajzat e presidentes, Osmani reagoi duke i akuzuar disa gazetarë për aktivitete të kundërligjshme, duke thënë se publiku do të shokohej nëse do të dinte se me çfarë veprimtarie merren ata.
Në një reagim të mëtejshëm, Osmani ka lidhur disa gazetarë me Milan Radoiçiçin dhe ka përmendur “grusht shtetin”, duke pretenduar se disa individë kanë pasur plane për të destabilizuar situatën në Kosovë.
Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga gazetarët dhe analistët, të cilët e kanë cilësuar këtë si një tentativë për të minuar lirinë e medias dhe për të ndikuar në punën e gazetarëve.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Prokuroria Speciale e Kosovës ka mohuar se ndonjë gazetar është nën hetim, duke theksuar se nuk ka asnjë informacion që të mbështesë këto pretendime.
Përveç kësaj, Osmani pati kritika edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke thënë se kërcënimet ndaj saj dhe familjes së saj nuk janë trajtuar nga institucionet. Sipas saj, kjo është hera e parë që drejtësia nuk ndërmori asnjë masë.